
Nis ditën e sotme aplikimi për subvencionimin për panelet diellore në kuadër të projektit pilot që ka nisur qeveria për të mbështetur 2 mijë familje shqiptare në krizën energjetike. Duke nisur nga dita e sotme, çdo familje mund të aplikojë online në Agjencinë për Efiçencën e Energjisë për të përfituar nga ky projekt.
2 mijë familjet që do shpallen fituese, qeveria do t’u mbulojë 70% të kostos së vendosjes së paneleve diellore. Ky projekt pilot i qeverisë vjen në kohën e krizës energjetike dhe ka si qëllim kursimin e energjisë elektrike, si edhe ndërgjegjësimin e qytetarëve për të kursyer energjinë dhe të shkojnë drejt përdorimit të paneleve diellore.
Kryeministri Edi Rama shkruan se do të vazhdojnë të mbështesin konsumatorin. Me instalimin e paneleve diellore kursehet 20% e kostos së përgjithshme të faturës së energjisë elektrike.
“Qeveria Shqiptare do vazhdojë të mbështesë dhe të mbrojë konsumatorin në këtë situatë krize energjie globale. 70% subvencionim nga Agjencia për Efiçencën e Energjisë për panelet me ngrohje diellore”, shkruan Rama.
Përgjigja nëse një familje shpallet ose jo fituese, jepet brenda dy ditëve punë nga momenti i aplikimit të familjes. Në rastin e shpalljes fitues, familja duhet të konfirmojë porosinë për panelet diellore brenda 7 ditësh pune tek subjektet që janë shpallur fitues nga Agjencisë për Efiçencën e Energjisë për të implementuar këtë projekt. Familja paguan vetëm 30% të kostos dhe fatura i dërgohet AEE-së nga subjekti.
Familjet që nuk konfirmojmë porosinë brenda 7 ditëve pune humbasin të drejtën e financimit me 70% për koston e paneleve diellore. Por, një familje që humbet mundësinë për financim, ka sërish të drejtë të aplikojë nga e para. Nga momenti kur familja paguan koston prej 30% për panelet diellore, subjektet tregtare duhet të instalojnë sistemin brenda 15 ditëve pune.
Comments are closed.