Dy persona kanë rënë në pranga, kurse një është vënë nën hetim, pas kontrollit në tetë banesa në Shkodër.
Janë arrestuar Petrit Kubazi dhe Gledis Kubazi, ndërsa Cuf Mataj, po ndiqet në gjendje të lirë.
Drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër Drejtues i Parë Hamdi Fjora, në konferencë për shtyp dha detaje për finalizimin e fazës së 8-të të megaoperacionit policor të koduar “Qarku”.
Në banesa të tjera u gjetën: 2 armë zjarri, 3 mina me telekomandë, 1 kilogramë e 600 gramë lëndë eksplozive C4, 2 armë gjahu, 1 armë sportive, 1 bllokues valësh, 2 radio si të Policisë dhe fishekë luftarakë të llojeve të ndryshme.
Armët e sekuestruara do të dërgohen në Institutin e Policisë Shkencore, për ekzaminime të mëtejshme, pasi dyshohet se janë përdorur në ngjarje kriminale të ndodhura më parë në qarkun Shkodër, por jo vetëm.
Njëkohësisht, në bashkëpunim me Prokurorinë vijon puna për zbardhjen e qëllimit të prodhimit dhe mbajtjes së minave me telekomandë, të cilat, nga veprimet e para hetimore dyshohet se do të përdoreshin nga një grup kriminal për ngjarje kriminale.
Gjatë 7 muajve në megaoperacionin policor të koduar “Qarku” janë sekuestruar 270 kilogramë kanabis, 476 bimë narkotke, dhjetëra doza kokaine, pajisje që shërbenin për përpunimin e kanabisit, 2 armë zjarri, 1 armë sportive, 4 automjete, 16 aparate celulare dhe muncion luftarak.
Comments are closed.