Një oficer policie në Gjirokastër përfundoi në pranga pas aksidentit tragjik të së shtunës.
Estien Dine, 24-vjeç, i cili kishte rreth dy vite që punonte në radhët e policisë, përplasi për vdekje një fëmijë 12- vjeçar, ngjarje e ndodhur gjatë së shtunës në fshatin Valere të Gjirokastrës. “Më datë 23.10.2022, Drejtoria Rajonale e AMP Vlorë-Gjirokastër arrestoi në flagrancë punonjësin e Policisë inspektor Estien Dine, 24 vjeç, me detyrë Trup shërbimi në kufirin e gjelbër në Stacionin e Policisë Kufitare Kakavijë, në DVKM Gjirokastër.
Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi më datë 22.10.2022, rreth orës 18:40, duke drejtuar automjetin ‘Mercedes Benz’ në aksin rrugor Shën Todhër-Valare, në hyrje të fshatit Valare ka aksidentuar shtetasin E. I., 12 vjeç, i cili ka ndërruar jetë. Materialet procedurale i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Gjirokastër për kryerjen e veprës penale ‘Shkelja e rregullave të qarkullimit rrugor’, në ngarkim të punonjësit të policisë Estien Dine”, sqaroi Agjencia e Mbikëqyrjes Policore me anë të një njoftimi.
AKSIDENTI
Ngjarja tragjike u regjistrua mbrëmjen e së shtunës, ndërsa tre fëmijët sapo kishin dalë nga shkolla dhe duke ecur anës rrugës, efektivi i Policisë që drejtonte automjetin me shpejtësi të lartë, i ka përplasur ata. Përplasja ishte fatale për njërin prej tyre, pasi 12-vjeçari i familjes Isufi është përplasur me një shtyllë elektrike, goditje që ka qenë fatale për nxënësin e shkollës 9-vjeçare. Burime nga Policia e Gjirokastrës bënë me dije se 12-vjeçari është goditur nga pasqyra e krahut të djathtë dhe më pas fëmija është përplasur me shtyllën e tensionit. Edhe dy fëmijët e tjerë kanë pësuar lëndime, por pa rrezik për jetën. Fëmija që humbi jetën ishte djali i madh i familjes Isufi në fshatin Valare, ndërsa kanë edhe një fëmijë tjetër më të vogël rreth 8 vjeç. Në gjendje të vështirë ekonomike, babai i të ndjerit punonte si roje objekti.
KUSH ËSHTË EFEKTIVI
Estien Dine kishte rreth dy vjet e gjysmë që punonte si trupë shërbimi në kufirin e gjelbër në Stacionin e Policisë Kufitare të Kakavijës në Gjirokastër. Pasditen e së shtunës, ai po shkonte për në punë kur përplasi tre fëmijët nga fshati i tij. Vëllai më i madh i efektivit, gjithashtu është në radhët e policisë, pasi punon te trupa Operacionale “Shqiponjat”, ndërsa vjehrri i këtij të fundit është shefi i Policisë së rendit në Komisariatin e Gjirokastrës, ndërsa në radhët e Policisë është edhe kunata e tij. Mësohet se efektivi ka përjetuar keq ngjarjen e ndodhur, duke tentuar edhe vetëvrasjen.
Comments are closed.