Nga emisioni Vetting:

Gazetari i emisionit “Piranja”, Eraldo Harlicaj ka udhëtuar bashkë me emigrantët për të na sjellë pamje dramatike të rrugës së mundimshme të shqiptarëve drejt Britanisë. Një udhëtim që mund të jetë edhe pa kthim, që mund të rezultojë fatal.

Këtë rrezik e marrin përsipër jo pak por rreth 13 mijë shqiptarë në vit, madje edhe familje me fëmijë të mitur.

Laku i varfërisë është tendosur fort rreth fytit të tyre dhe i shtrëngon deri sa i nxit të shkojnë drejt gomones duke rrezikuar jetën e tyre dhe të fëmijëve.

Ky është emigracioni shqiptar i kohëve të sotme. Nuk është aspak një lëvizje e lirë ashtu siç pretendon pushteti në Tiranë, ashtu siç thonë ata: “edhe të rinjtë grek, Italian, francez etj lëvizin, ikin nga vendet e tyre”.

Po, mund të jetë e vërtetë që shifrat e lëvizjes së të rinjve grekë a francez drejt shteteve të tjera mund të jetë e lartë. Por ata lëvizin si qytetarë të botës ndërsa një i ri shqiptar që mund të ketë një diplomë të rëndësishme në xhep, udhëton me gomone duke rrezikuar jetën.

Është e ngjashme drama e emigrantëve, udhëtimi shumë i mundimshëm ia lë vendin një fillimi shumë të vështirë.

Mijëra shqiptarë largohen çdo vit në kërkim të një jetë të re në vende të ndryshme të Evropës dhe përtej saj. Shifrat zyrtare tregojnë se shumica e shqiptarëve jetojnë jashtë atdheut. Aktualisht jemi në një prej valëve më të mëdha të largimit të shqiptarëve.

Referuar shifrave zyrtare, BBC raportoi pak ditë më parë se më shumë se 33.500 emigrantë kanë shkuar këtë vit ilegalisht në Britani me gomone, shifra më e lartë e shënuar ndonjëherë. Sipas statistikave të autoriteteve britanike, 6 në 10 emigrantë në gomone janë shqiptarë.

Çfarë e shtyn një të ri të kalojë nëpër këto mundime? Pse merr përsipër të rrezikojë jetën e minimalisht financat e familjes së tij? Pse të rinjtë duan me çdo kusht të ikin nga Shqipëria? Çfarë programesh ka qeveria shqiptare për të mbajtur të rinjtë në vend?

Numri i shqiptarëve që kërkojnë azil në vendet e BE-së dhe Britani, është më i lartë se ai i vendeve në konflikt si Afganistani, Irani dhe Iraku. Madje edhe ukrainasit që janë në luftë vijnë pas Shqipërisë në numrin e kërkesave për azil.

Me shifrat në rritje të emigracionit, Shqipëria po kthehet gjithnjë e më shumë në një vend ku dominon mosha e tretë. Sipas shifrave të fundit për vitin 2022, rezulton se ky kontingjent, pra mosha e tretë është mbi 620 mijë njerëz që do të thotë ¼ e gjithë popullsisë së vendit tonë. Me ritmet e ikjes, Shqipëria rrezikon të mbetet një vend ku shumica e banorëve do të jenë pensionistë, plus punonjësit e administratës publike, plus një grusht militantësh politikë.

Qytetarët e zakonshëm të këtij vendi, që po përpëliten mes krizës ekonomike, ndoshta kanë planifikuar ikjen, në mos për veten e tyre, për fëmijët. Shumica e shqiptarëve tashmë jetojnë jashtë Shqipërisë. Shpopullimi vazhdon…

/abcnews.al/