Deputeti i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi deklaron se nuk ishte gabim votiomi i hapjes së dosjeve. Përmes një postimi, Bardhi thotë se nuk mund të vonohet më tej teatri i shëmtuar i politikës 32-vjeçare. Ai shton se gabim është fakti që nuk paraqitesh e nuk voton, duke nënkuptuar në këtë mënyrë, mungesën e kryedemokratit Sali Berisha në Kuvend.
Bardhi thotë se ligji i miratuar dje nuk është ligj kundër Ilir Metës, sa kohë ai mohon të ketë qenë spiun i Sigurimit të Shtetit.
POSTIMI I BARDHIT:
Punonjësit dhe bashkëpunëtorët e Sigurimit të Shtetit kanë qenë një “ushtri” me përgjegjësi kryesore në dhunën që diktatura ka ushtruar mbi shqiptarët. Nuk ka asnjë gabim në hapjen e plotë të dosjeve të tyre; nuk ka asnjë gabim në deklasifikimin e dosjeve të tyre; dhe nuk ka asnjë gabim në heqjen e çdo pengese për të kontrolluar këdo zyrtar të lartë që dyshohet se ka qenë spinun apo punonjës i Sigurimit të Shtetit.
Gabim është që të dalësh kundër vetvetes për interesa të supozuara të një individi. Gabim është të dalësh kundër hapjes së dosjeve të Sigurimit të Shtetit ku të përndjekurit e tij janë themeli i mbështetësve të PD. Gabim është të justifikohesh me mashtrim se dosjet janë hapur plotësisht në 2008, duke qenë i ndërgjegjshëm që ai ligj nuk hyri dot në fuqi sepse u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese. Gabim është ti japësh mundësi Edi Kristaq Ramës të flas për këtë temë, ku PD ka qenë plot 14 vite në pushtet. Gabim është të fshihesh dhe të mos votosh.
Ligji i miratuar dje nuk është ligj kundër Ilir Metës, sa kohë ai mohon të ketë qenë spiun i Sigurimit të Shtetit! Pse qenka ligji kundër Ilir Metës dhe nuk qenka ligj kundër 6 rasteve të tjera, që autoriteti i dosjeve e raporton se ndodhet në të njëjtën pozitë?
Nëse dikush ka qenë spiun apo punonjës i Sigurimit të Shtetit dhe preket nga ligji, atëherë PD nuk i ka asnjë borxh askujt dhe nuk mund të heq dorë nga parimet e veta për interesin e askujt. Është gabim historik të dalësh kundër trashëgimisë familjare apo politike për interesin e një apo disa individëve. Sigurimsat dhe spiunët e tyre duhet të jenë jashtë politikës, sistemit të drejtësisë dhe administratës publike. Jemi vonë, por nuk mund ta vonojmë më shumë, me teatrin e shëmtuar të politikës 32 vjeçare.
Ditën e djeshme, Kuvendi miratoi me 94 vota pro ndryshimet e ligjit për hapjen e dosjeve. Nga grupi parlamentar i PD-së, nuk votuan deputetët e rreshtuar me “Rithemelimin” me në krye Sali Berishën. Nuk votuan gjithashtu tre deputetet e LSI-së, sa kohë që miratimi i këtij ligji prek Ilir Metën direkt. Nuk kanë votuar gjithashtu në bllok aleatët e Berishës, përjashto deputeten e PDIU-së, Mesila Doda. Kolegu i saj, kryetari i PDIU-së, Shpëtim Idrizi nuk mori pjesë në votim. Dy deputetë të PS-së abstenuan. Ata janë Damian Gjiknuri dhe Nasip Naço. Ndërsa deputeti i PS-së, Fatmir Xhafaj nuk ka votuar ligjin e propozuar.
Projektligji erdhi pas kërkesës së autoritetit pasi doli një dosje me një spiun të sigurimit me iniciale I.M që dyshohet se ishte ish-Presidenti Ilir Meta.