SHKODËR- Dikur ndaj tij ishte ngritur akuzë për falsifikim dokumentash, por nuk ka pasur një vendim të formës së prerë për ta dënuar. Tani ai, prej të paktën një dekade, kërkon gjykatë më gjykatë që kartela penale t’i jepet e pastër, pasi në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore figuron i dënuar.

Kjo është historia e një 52-vjeçari nga Shkodra me inicialet G.L. i cili ka vendosur t’u japë fund andrallave që i janë hapur prej vitit 2013 në jetën e tij. Ai u procedua pothuajse mbi dhjetë vjet më parë për akuzën e falsifikimit të dokumentave parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal dhe, me gjithë kohën që ka kaluar, vijon të konsiderohet si një i dënuar. Shkodrani, sipas burimeve të Gazetasi.al, kërkon nga Gjykata Administrative e Shkodrës që të konsiderohet gjyqësisht i rehabilituar, i padënuar ndonjëherë dhe sipas tij “të urdhërohet Zyra e Gjendjes Gjyqësore, Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve të bëjë shënimet përkatëse në Regjistrin e Gjendjes Gjyqësore”.

Kjo do t’i sillte atij një vërtetim të pastër si kushdo tjetër që nuk ka qenë ndonjëherë nën procedim dhe as i dënuar.

Në dosjen që pa Gazetasi.al, paditësi shpjegon se ai figuron i dënuar dhe kartelat ia japin të tilla, ndonëse asnjëherë nuk ka pasur një verdikt dhe shpallje fajësie.

“Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër në vitin 2016 vendosi Pushimin e Ekzekutimit të Vendimit Penal nr. 347, viti 2013 të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Shkodër”, thotë në padi shkodrani.

Gjykata civile e Shkodrës vlerëson se ajo nuk është kompetente dhe se burri duhet të bëjë durim dhe t’i drejtohet gjykatave të duhura.

“Shtetasi G.L në thelb kërkon detyrimin e Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, Sektori i Gjendjes Gjyqësore që të kryejnë një veprim administrativ sikurse është pajisja me vërtetimin e gjendjes gjyqësore “i padënuar” duke qenë se ai është rehabilituar… Lënda për gjykimin e çështjes i përket Gjykatës Administrative të Shkallës së Parë Shkodër, e për pasojë Gjykata e Shkallës së Parë Shkodër çmon se nuk mund të vazhdojë me gjykimin e mëtejshëm të saj dhe për rrjedhojë urdhëron sekretarinë gjyqësore që të dërgojë aktet në Gjykatën e Shkallës së Parë Administrative Shkodër”, tha Gjykata e Shkodrës.

Por skeptike “tregohet” edhe Gjykata Administrative e këtij qyteti që konsideron se kur një person kërkon të quhet i padënuar, në thelb konstatimi për rehabilitim duhet mbështetur në Kodin Penal në nenin 69 për “Rehabilitimin”.

“Kur një person pretendon se plotëson kriteret ligjore për të përfituar nga rehabilitimi, sipas nenit 69 të Kodit Penal, por nuk arrin të realizojë këtë të drejtë, për shkak të refuzimit të shfaqur nga Zyra e Gjendjes Gjyqësore, gjykata kompetente që vendos për zgjidhjen e kësaj mosmarrëveshjeje do të jetë gjykata penale e rrethit gjyqësor, që ka dhënë vendimin penal ndaj kërkuesit që pretendon rehabilitimin. Nëse ndaj kërkuesit është dhënë më shumë se një vendim gjyqësor, gjykata kompetente do të jetë gjykata që ka dhënë vendimin e fundit gjyqësor”, tha Gjykata Administrative e Shkodrës.

Pasi është degdisur nga gjykata në gjykatë, ku dhe ka përfunduar aktualisht në gjykatën penale, me një vendim të Gjykatës së Lartë, paditësi përshkruan përpjekjet e tij disavjeçare në kërkesë padi.

“Aplikova në portalin e-Albania duke kërkuar një vërtetim të gjendjes gjyqësore në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve. Sipas vërtetimit të gjendjes gjyqësore 2021 del se unë rezultoj ende i dënuar. Por unë jam rehabilituar”, i është ankuar gjykatës 52-vjeçari, dikur nën akuzë për falsifikim dokumentash.

Ai tanimë gjendet nën gjykim në Gjykatën Penale të Shkodrës pasi kjo gjykatë shqyrtoi kërkesën e prokurorisë pothuajse 10 vite më herët. Ai ankohet se as Gjendja Civile dhe as institucionet e ngarkuara për ta bërë nul vendimin, nuk vepruan.

“Aplikoj për dokumentin në fjalë dhe ma japin të zezë dhe kjo çështje nuk mund të zgjasë më tej, pasi më vështirëson jetën”, këmbëngul burri i cili ka testuar deri më tani 4 gjykata.

Marrë nga Gazeta Si