Kreu i PD Sali Berisha, ka zhvilluar këtë mërkurë një takim me qytetarë në Vaun e Dejës. Berisha është pritur me brohoritje nga mbështetësit e tij dhe banorë të zonës.

Gjatë fjalës së tij Berisha tha se vendi është drejt shpopullimit për shkak të rritjes së varfërisë dhe rrënimit të ekonomisë. Sipas tij përgjegjës kryesor për këtë është qeveria Rama.

“Të dashur banorë të Bushatit, Vaut të Dejës. I dashur zoti deputet, përulem me nderimin më të thellë dhe mirënjohjen ndaj demokratëve të Vaut të Dejës dhe të gjithë kësaj zone për mbështetjen që i kanë dhënë PD nga dita e themelimit të saj deri më sot. Kjo mbështetje ka pasur për ne rëndësi të jashtëzakonshme, jo vetëm në sukseset e mëdha në qeverisje. Takohemi sot në një moment të vështirë, në një moment që do të thoja dramatik për vendin. Para syve tanë Shqipëria çdo ditë pakësohet. Një shpopullim i frikshëm dhe i pabesueshëm, gjeta një ndjenjë dhembshurie nga ky shpopullim. Por kjo është kudo. Kjo ndodh kur ky vend është i bekuar me pasuri natyrore. Ju garantoj se nuk ka tokë më pjellore se toka e Bushatit dhe nuk ka njerëz më punëtorë se ju, por djemtë e vajzat tuaja largohen. Gjithçka është diktuar nga kjo qeveri. Kjo qeveri grabit natën e ditën, pasuritë tona janë shndërruar në një mallkim për ne. Prodhimet tuaja në vend të marrin vlerë, mbeten pa shitur. Prodhimet tuaja nuk sjellin fitim”, tha Berisha.

(BalkanWeb)