Befason Veleçiku, barazon në Kupë me Tiranën. Klubi verior drejtohet nga Dritan Smajli i cili ka pranë vetes dy emra të mëdhenj të futbollit të luajtur në të shkuarën. Ndimësi i tij Alket Kruja dhe zyrtari i klubit Nuri Rexha.
Takimi i luajtur sot në kompleksin “Skënder Halili” në kryeqytet ndërmjet Tiranës dhe Veleçikut të Koplikut për të kthimit në turin e parë të Kupës së Shqipërisë, rezultoi mjaft i luftuar.
Edhe pse kampionët e Shqipërisë kishin fituar në Koplik ndeshjen e vajtjes 3-0, sot në tapetin sintetik të impiantit të bardhebluve, u pa një skuadër përballë, mjaft e fortë dhe antagonistike.
Një penallti e shënuar nga Arsen Hajdari në të 36′-ën ishte logjikë e asaj loje të bukur që ansambli i trajnerit Dritan Smajli po dhuronte në fushë. Goli i dytë i skuadrës koplikase një realizim ‘perendimor’.
Arens Dibra pas një topi të ardhur nga e djathta sherben mbi vijën e zonës Hajdarin i cili me një rrotullim gjithë klas e një goditje fluturimthi mposht për herë të dytë portierin Lika.
Sidoqoftë goli i Realf Zhivanajt në të 45+1 (me penallti), shuajti iluzionet e miqëve për të bërë surprizën përballë Tiranës. Megjithatë, në të dytën, tekniku Shehi merr masa teksa hedh në fushë futbollistë si Husein, Patrik Robson, Deliu dhe Lulaj.
Sakaq, një pjesë e dytë e luajtur ‘dhëmb për dhëmb’ me koplikasit që vijojnë të tregojnë cilësi të madhe në terrenin e lojës. Në fund, takimi u mbyll në barazim 2-2 teksa sërish Zhivanaj realizon për skuadrën bardheblu kur luhej e 83-ta.
Pas takimit Dritan Smajli i cili ka luajtur si futbollist me bardheblutë u shfaq entuziast. Ndoshta dhe me keqardhjen e një barazimi që erdhi pas avantazhit të Veleçikut me dy gola:
Ndalët Tiranën…
“Djemtë zhvilluan një ndeshje të bukur. Të gjithë e dimë se cila është Tirana por ne sot treguam se puna e bërë me këtë grup është në udhë të mbarë. Hajdari, Dibra dhe Banushaj me pjekurinë e duhur por kam vertetë një skuadër cilësore. Gjithëçka nis nga porta aty ku një 19 vjeçar si Kaçaj edhe sot tregoi se jep siguri të madhe.”
Objektivi sezonal në Grupin A të Kategorisë së Dytë?
Pas dy javëve kemi 4 pikë. Aq mjafton që ne jemi për të kërkuar vendin e parë e rikthimin në Kategori të Parë. Në grup ka skuadra pretendente por ne jemi të bindur se mund të jemi fitues.”/sportiim.al/
Comments are closed.