Dy armë zjarri pistoleta janë gjendur dhe sekuestruar në makinën BMË-në me targë AA 008 EJ, të ish-deputetit Mark Frroku.
Sipas BallkanWeb, gjatë kontrollit të makinës, ish-deputeti nuk ka qenë në makinën e tij, teksa mjeti drejtohet nga shoferi personal Albert Prendi.
Ky i fundit është arrestuar në bazë të operacionit të koduar “Bulevardi”.
Por pavarësisht se armët e zjarrit janë gjetur në strukturën e brendshme të makinës, dhe jo në trupin e Prendit.
Ai ka pranuar gjatë marrjes në pyetje nga organi i akuzës se armët i përkisnin atij.
“Shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, në bashkëpunim me Komisariatin e Policisë Nr. 6, bazuar dhe në informacionet e marra në rrugë operative se në bulevardin “Migjeni”, një shtetas po qarkullonte me armë zjarri në automjet, kanë organizuar punën dhe kanë finalizuar me sukses operacionin policor të koduar “Bulevardi”.
Si rezultat i këtij operacioni, u bë kapja dhe arrestimi në flagrancë i shtetasit: Albert Prendi, 38 vjeç, banues në Tiranë, për veprën penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, ka njoftuar dje Policia e Tiranës, duke shpërndarë dhe videon e arrestimit të shoferit.
Policia kriminale, ka kërkuar kryerjen e ekspertimit balistik dhe daktiloskopik të dy armëve, me qëllimin e vetëm për të mësuar nëse ato janë përdorur në ngjarje kriminale.
Por edhe për të zbuluar nëse këto dy armë i përkasin personave të tjerë, që mund të kenë lënë gjurmë biologjike apo gjurmë gishti.
Comments are closed.