Prokuroria e Shkodrës ka pushuar dosjen penale ndaj Ervis Zikës, i cili shërbente si drejtor i Burgut të Reçit në Shkodër. Gazetari Elton Qyno shkruan për OraNews se Prokuroria e Shkodrës e ka cilësuar të pabazuar në prova dhe ligj ndërhyrjen për arrestimin e Zikës në kohën që ishte në krye të detyrës, në muajin Prill të këtij viti.
Për rrjedhojë, çështja e ngritur me shumë urgjencë dhe nxitimthi nga ministria e Drejtësisë, me pretendimet se në burgun e Reçit ishte vjedhur 150 litra naftë dhe se drejtori i burgut të Reçit Ervis Zika, fuste sende të palejuara në qelitë e të dënuarve, tashmë është mbyllur.
Prokuroria e Shkodrës ka dalë në përfundimin se sasia prej 150 litra naftë e marrë nga Ervis Zika përmes tollonave në një subjekt privat, është hedhur në makinën private të tij, pasi makina shtetërore e përdorur nga ish-Drejtori i Burgut të Reçit, ka pasur difekt teknik. Për pasoja, për dy javë Ervis Zika, është detyruar të kryejë funksionet e detyrës së tij, me makinën private.
Gjatë hetimeve të kryera dhe marrjes në pyetje, Zika në asnjë moment nuk ka pranuar akuzat, duke pohuar se kishte qënë vetë ai që kishte denoncuar vjedhjen e karburantit në burgun e Reçit. Në kallëzimin që Zika kishte paraqitur në prokurori para se të arrestohej, pretendonte një dëm financiar që lidhet me mungesën e 40 mijë litrave naftë në burgun e Reçit. Kjo sasi është konsumuar në rrethana të mistershme, pasi burgu i Reçit nuk ka kryer aq shumë shërbime, për të konsumuar sasinë prej 40 mijë litra naftë.
Por, pavarësisht se vetë Zika kishte bërë kallëzim, në muajin prill u largua nga detyra dhe u arrestua. Vetëm pak orë pas arrestimit të tij, ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, urdhëroi komandimin e Drejtorit të ri të këtij burgu, Seit Vuçaj.
Nuk dihet si do të procedohet me postin që mbante Zika, për të cilin prokuroria ka dalë në përfundimin se është larguar në mënyrë të padrejtë, por hetimet për naftën vazhdojnë. Dyshimet janë se karburanti është vjedhur dhe më pas shitur në treg të zi.