Me shumë kuriozitet pritet ceremonia e dasmës së ditës së sotme (e dielë) mes Armina Mevlanit dhe Shkëlzen Berishës. Pas gati 10 vitesh në një histori dashurie, çifti më në fund do të celebrohet sotme, duke nisur një etapë të re në jetën e tyre. Ishte vetë Armina ajo që e zbuloi lajmin, rreth dy javë më parë.
Panorama Plus mundi të zbuloi disa detaje nga kjo ceremoni që do të mbahet në prag të përvjetorit të tyre të 10-të. Ftesa u ka shkuar tashmë rreth 300 personave që do të jenë dëshmitarë të kësaj feste.
Dekori dhe të gjitha detajet e tjera janë përzgjedhur nga vetë çifti, duke i kushtuar një vëmendje të madhe, sidomos Armina, që njihet për shijen e saj të hollë.
Festa do të mbahet në një agroturizëm në Shijak dhe me aq sa kemi mundur të mësojmë, festa do të nis që në orën 17:00 me një kokteil, dhe më pas darka.
Vetë blogerja ka zbuluar disa detaje nga festa e dasmës së saj. Në fund të episodit të “Goca dhe Gra”, ku Armina është moderatore, ajo rrëfeu emocionet, ndërsa tha se më shumë do të flasë pas dasmës.
Gjatë bisedës, Dalina Buzi tha: “Javës tjetër do jesh si zonja Berisha, do na vish në studio”, ndërsa Armina u përgjigj duke thënë: “Jo, do të vij si zonja Mevlani. Do të vazhdoj të jem zonja Mevlani”
Kështu ajo la të kuptohet se do të mbajë mbiemrin e saj edhe pas martesës. Gjatë emisionit, vajzat nuk kursyen komentet plot humor. Jerina e pyeti Dalinën nëse e ka vendosur sa lekë do t’i hedhë Arminës në dasmë.
“Do hedh që të bie në sy, ose nga zarfi, ose nga ajo brenda. Do bëj një zarf të madh dhe ta lë aty, se me para na e kalojnë të tjerët”, u përgjigj moderatorja. Më herët, Mevlani u shpreh se kanë zgjedhur pikërisht muajin shtator pasi u pëlqen vjeshta të dyve dhe ka mohuar se po bën një dasmë për arsye se po pret një fëmijë siç është përfolur.
“Muajin shtator e zgjodhëm për të bërë dasmën sepse na pëlqen vjeshta. Ne nuk e kemi planifikuar dasmën për të pritur një fëmijë. Gjithmonë kam dashur të kem dasmën para fëmijës, dua ta shijoj. Vjehrri im, Sali Berisha, është gjithmonë mbështetës dhe ka qenë në rregull me datën e dasmës. Menyja e dasmës do të jetë tradicionale. Në dasmë do të ketë të ftuar më pak se 300 persona, për disa detaje të dasmës më ka ndihmuar shumë edhe kunata, motra e Shkëlzenit, me të cilën kam marrëdhënie fantastike”, tha Mevlani.
Shkëlzeni dhe Armina kanë zgjedhur një dasmë tradicionale në çdo detaj të tyre. Menyja e përzgjedhur prej tyre është tradicionale shqiptare, madje edhe pijet do të jenë prodhim i vendit tonë. Është kjo mënyra që çifti ka zgjedhur për të promovuar edhe kulinarinë e vendit tonë në ditën e tyre më të rëndësishme.
Nga ajo çfarë kemi mundur të mësojmë, Armina dhe Shkëlzeni do të lidhin martesë në rreth 200 të ftuar. Natyrisht që shumë të ftuar VIP do të jenë në dasmën e tyre. Veç personazheve nga bota e artit, kulturës, në dasmën e dyshes nuk do të mungojnë as figura të politikës.
Moderatorja e njohur ka zgjedhur 3 fustane për dasmën e saj. Teksa njëri është një krijim i Vivienne Westwood enkas për të. Një krijim i personalizuar me stilin e blogurës, që me aq sa dimë, do të ketë disa detaje nga veshja e famshme që Armina Mevlani kishte në Festivalin e Kanës disa vite më parë. Në të njëjtën linjë do të jetë edhe fustani i saj i nusërisë.
Ndërkohë për 2 fustanet e tjerë, Armina ia ka besuar krijimit të stilistit shqiptar, duke vijuar kështu linjën e ‘Made in Albania’ në ceremoninë e saj. Ceremonia mes miqve dhe të afërmve do të mbahet në ambientet e jashtme të resortit, ku çifti ka përzgjedhur edhe muzikë shqiptare për të festuar, duke preferuar që në ditën e tyre më të lumtur çifti të personifikohet edhe me shijen edhe traditën shqiptare.
Dasma e blogeres dhe djali të kreut të Partisë Demokratike vjen në prag të 10-vjetorit të lidhjes së tyre. Në këtë marrëdhënie afatgjatë, ata kanë preferuar që t’i bëjnë të gjitha hapat tradicionalisht. Vite më parë, dyshja bëri edhe një ceremoni fejese me familjarët e afërt. Ndaj edhe dasma e tyre nuk kishte se si mos të kishte të njëjtën linjë.
E tashmë që dasma e çiftit është pak ditë larg, duket se planet e tyre shkojnë për zgjerimin e familjes. Armina Mevlani ka realizuar së fundmi një intervistë virtuale me ndjekësit e saj në “Instagram”.
Si çdo herë ndjekësit e modeles janë kuriozë të dinë detaje rreth jetës së saj personale, sidomos në lidhje me partnerin e saj Shkëlzen Berishën. Një ndjekës e ka pyetur moderatoren nëse është shtatzënë dhe Armina nuk ka ngurruar aspak t’i përgjigjet me sinqeritet ndjekësit.
“Akoma jo, së shpejti, do të doja ta përjetoja këtë eksperiencë në fakt”. Blogerja ka treguar disa ditë më parë detaje për lidhjen e saj gjatë, ku zbuloi edhe sekretin e lidhjes së saj disavjeçare.
“Që në momentin e parë që e kam parë, jam tërhequr pa e ditur fare kush ishte… më pas me kalimin e kohës tek ai gjeta shumë gjëra. Ndajmë të njëjtat këndvështrime për jetën, na pëlqejnë të njëjtat rutina, jemi romantikë, ëndërrimtarë, nëse na lë bashkë kemi gjithmonë diçka për të folur dhe koha kalon shumë shpejt. Plotësojmë njëri-tjetrin gjithmonë. Tek ai kam gjetur një partner në çdo gjë”, shkroi Armina në “Instastory”, krahas një fotoje të saj me djalin e Sali Berishës.
Një tjetër ndjekës e pyeti Arminën se cilat janë cilësitë që ajo vlerëson më shumë te partneri i saj.
“Është shumë me këmbë në tokë, shumë xhentil, me kulturë, i dashur dhe për më tepër i ndjeshëm, njëlloj si unë, për njerëzit dhe kafshët”, theksoi blogerja. Gjithashtu, Armina tregoi edhe ‘puthjen perfekte’ për të.
Duke zbuluar se është një vajzë romantike, Armina tha se puthja perfekte për të është në shi gjatë vjeshtës. Si gjithnjë e hapur për mediat, ajo ka përshkruar sesi do të ishte jeta e saj nëse nuk do të ishte njohur me Shkëlzenin. Sipas moderatores, ajo me shumë mundësi do të kishte vazhduar masterin jashtë në lidhje me modën apo filmin.
Gjithashtu, synimi i saj ishte dhe Londra ose Milano pasi i ishin ofruar shumë oferta pune në kohën e ‘Miss World’. Por ajo që mund të themi është se planet e afërta të Arminës tashmë vërtitet rreth jetës private, por natyrisht që kjo nuk do të thotë se karriera nuk është në fokus të sajin.
Çifti pas dasmës do të marrë pak kohë për të pushuar e për të kryer edhe muajin e tyre të mjaltit, ashtu si tradita e do. Por rikthimi në Tiranë do të jetë si gjithnjë i angazhuar me punë. Armina i është rikthyer sezonit të dytë të “Goca dhe Gra”, ku në rolin e saj si moderatorë shpesh ndan detaje nga jeta private./Panorama Plus
Comments are closed.