Kriza e energjisë i ka vënë të gjitha vendet në pozitë mbrojtëse ndaj konsumatorëve dhe bizneseve, duke parashikuar paketa të plota me mbështetje direkte.

Gjermania, për shembull, vetëm pak ditë më parë, njoftoi se do të japë një pagesë 300 euro për punonjësit, pensionistët dhe studentët.

Po kështu do të ofrojë një sasi energjie, që ende mbetet për t’u përcaktuar, me një çmim më të ulët. Të paktën 65 miliardë euro do të vihen në dispozicion nga qeveria për të kaluar këtë dimër. Franca ka vendosur për familjet me të ardhura të ulëta të ofrojë një çek 100-200 euro.

Kjo vjen në kushtet kur qeveria do të rrisë çmimin e gazit dhe energjisë me një tavan 15% vitin tjetër, që në vlerë përkthehet vetëm 25 euro në muaj, dukshëm më e ulët se mbështetja. Shuma që do të përfitojë familja, do të varet nga të ardhurat mesatare.

Spanja ka deklaruar se familjet dhe bizneset e vogla nuk do të paguajnë Tatim mbi Vlerën e Shtuar për gazin, që është burimi kryesor i energjisë. Kjo do t’u kursejë atyre mesatarisht 5-19 euro çdo muaj. Masa për gazin vjen një vit pasi qeveria uli TVSH-në tek energjia elektrike, nga 21% në 10% dhe që u pasua me një reduktim të mëtejshëm nga 10 në 5% në qershor 2022.

Këto tre vende u morën si shembull nga qeveria shqiptare në planin e masave për energjinë, duke treguar mënyrën sesi këto shtete po çonin para objektivat e kursimit, por jo ato të mbështetjes.

Qeveria shqiptare është e bindur se e mbështet sa duhet konsumatorin familjar dhe biznesin, ku nuk mungojnë deklaratat se barrën për importet e shtrenjta po e mban buxheti (përmes garancive ndaj kompanive publike). Falë kësaj, konsumatorët e blejnë energjinë shumë më lirë se çmimi i bursës. Ajo që qeveria harron është fakti se sa herë përmendet fjala “buxhet” dhe mbështetja që buron prej tij, indirekt janë qytetarët dhe bizneset të cilat po e paguajnë blerjen e energjisë.

Në prezantimin e pak ditëve më parë të paketës së dytë të mbështetjes dhe planit për energjinë elektrike, ajo që ra në sy dhe ka hapur debat të gjerë, është kthimi i faturimit të energjisë me fasha. Tashmë, çdo konsumator që shpenzon më shumë se 800 KWh do të paguajë diferencën mbi këtë fashë me çmime tregu, i paracaktuar në 42 lekë pa TVSH. Përveç “shtrenjtimit” të faturave për një pjesë të konsumatorëve në kohë krize, planit nuk i mungon as ana shtrënguese e tij, duke parashikuar alternativën e preferuar në shumë raste, siç është ngritja e Task Forcës. Këtë herë, për Energjinë.

Importet arrijnë 340 milionë euro, prodhimi në “mëshirë të reshjeve”

Korporata Elektroenergjetike Shqiptare, që është ngarkuar me detyrën e sigurimit të furnizimit me energji në vend, ka shpenzuar qindra milionë euro. Të dhënat e publikuara nga KESH dhe të përpunuara nga “Monitor”, konfirmojnë se nga fillimi i vitit e deri më tani janë shpenzuar 340 milionë euro për importe. Me këtë fond janë përballuar blerjet nga 1 janari deri në datë 18 shtator. Për periudhën 1-18 shtator janë shpenzuar 42 milionë euro.

KESH e përqendroi gjatë korrikut dhe gushtit furnizimin në vend në pjesën kryesore te prodhimi në kaskadë, për shkak të çmimeve, që kapën nivele rekord. Këto të fundit arritën në fund të gushtit në 1040 euro/MWh, çka në çmim tregu në Shqipëri përkthehet 130 lekë/KWh pa i shtuar këtij të fundit kosto transmetimi, apo shpërndarjeje.

Fatura e kripur e importeve pritet të rritet më tej, deri në fund të këtij viti, gjë që duket se detyroi qeverinë të zbatojnë masa urgjente kursimi. Kaskada e Drinit ka zbritur me shpejtësi dhe ka një rezervë energjetike që, në datë 15 shtator, ishte 440 GWh. Shpresa e vetme e gjeneruesit publik për lehtësim të situatës mbetet fillimi i reshjeve.

“Muaji shtator, sipas parashikimeve, pritet të jetë i freskët dhe i lagësht, ku priten reshje shiu, që do të përmirësojnë ndjeshëm situatën hidrike në kaskadë. Reshje shiu priten në datat 16-17 shtator.

KESH sh.a., nga data 11 shtator, ka ndalur plotësisht prodhimin nga HEC Fierza, me qëllim përpunimin e prurjeve anësore të Komanit dhe Vau të Dejës. Nivelet e liqeneve në këto dy HEC-e po ulen gradualisht për të krijuar hapësirën e nevojshme të rezervimit për prurjet e mëdha të parashikuara në datat 16 – 18 shtator dhe datat 20 – 21 shtator. Ndërsa liqeni i Fierzës, si pasojë e menaxhimit dhe prurjeve që priten, do të rritet gradualisht, duke përmirësuar kështu rezervën energjetike në kaskadë”, njoftoi KESH.

Nivelet e liqeneve në kaskadën e Drinit nuk premtojnë shumë nëse reshjet do të mungojnë. Fierza, HEC-i me liqenin më të madh, prej fillimit të vitit mbetet nën mesataren historike. Konkretisht, në datë 15 shtator, niveli i Fierzës ishte 267.57 metra, Komani 168.52 metra dhe Vau i Dejës 73.15 metra.

Kaskada e Drinit menaxhohet në bazë të një rregulloreje të hartuar në vitin 1988. Rregullorja parashikon edhe nivelet në të cilat duhet të mbahen liqenet e kaskadës gjatë dy kohëve. Për Fierzën, për shembull, niveli i liqenit në periudhën 1 prill – 1 tetor në rregullore është në kuotën 295 absolute, 296 relative. Për periudhën 1 tetor – 1 mars, niveli është në kuotën 289 metra absolute dhe 290 metra relative.