Prokuroria e Posaçme i ka dhënë goditjen e dytë ish-kryeministrit Sali Berisha.
Ditën e djeshme nisi marrja në pyetje e personave që kanë dijeni për aferën me ish-kompleksin “Partizani”, ndërsa sot SPAK ka njoftuar se janë thelluar hetimet për tragjedinë e Gërdecit.
Arben Kraja pak ditë më parë njoftoi se hetimet janë shtrirë përtej Fatmir Mediut dhe po verifikohet roli që ka pasur ish-kryeministri Berisha, apo djali i tij.
Sipas informacioneve, SPAK ka dërguar një letërporosi në SHBA, ku kërkon ndihmën e autoriteteve amerikane për të marrë në pyetje biznesmenin Efraim Diveroli, i akuzuar si i përfshirë në trafik fishekësh në Gërdec.
Efraim Diveroli ishte një trafikant armësh nga Florida. Ai ishte presidenti i kompanisë “AEY”, e cila blinte municione kineze në Shqipëri për llogari të një tenderi të dhënë nga SHBA në vlerën 298 milionë dollarë. Me këto para, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes kërkoi të furnizojë forcat afgane të sigurisë me municione, por Diveroli shkeli embargon e SHBA-ve ndaj municioneve dhe armëve kineze. Fishekët kinezë manipuloheshin me ambalazh tjetër në Gërdec. Ai kishte shënuar në dokumente se municionet e kallashnikovit ishin prodhim hungarez i viteve 1965-1975, por në fakt ato ishin prodhim kinez.
Gjatë përgjimeve të Diverolit dhe Kosta Trebickës para shpërthimit të Gërdecit, Diveroli shprehet se në Gërdec janë implikuar Sali Berisha si kryeministër dhe djali i tij Shkëlzeni, të cilët i konsideron si mafien më të fortë. Ndër të tjera, Efraim Diveroli shprehet: “…kjo gjë ka shkuar shumë lart, deri te Kryeministri dhe djali i tij. Kjo është. Kjo mafia është shumë e fortë për mua. Nuk mund ta luftoj këtë mafia. Është bërë shumë e madhe. Kafshët kanë dalë shumë jashtë kontrollit. Shumë lojtarë…”.
Mbi këto lidhje, Shkëlzen Berisha bëri dhe një padi në SHBA. Shkëlzen Berisha paditi për shpifje gazetarin amerikan Guy Lawson, autor i librit “Armët dhe Çunat”, që ka në thelb tragjedinë e Gërdecit. Lawson ka shkruar për lidhjet e Shkëlzen Berishës me Diverolin. Gazetari e fitoi gjyqin në të dyja shkallët e gjyqësorit.
Mirëpo marrja në pyetje e Diverolit duket se fundos drejtpërdrejt Berishën dhe djalin e tij, pasi Shkëlzen Berisha është akuzuar si i përfshirë në skemën e Diverolit. Mbetet të shihet se sa larg do të shkojë SPAK. /Pamfleti
Comments are closed.