Kryetari i PD-së, Sali Berisha i është rikthyer edhe sot akuzave të financimeve ruse, që ka marrë ish-kreu i partisë Lulzim Basha.

Duke folur në konferencën e përjavshme për shtyp, Berisha tha se Basha nuk duhet të kujtojë se kjo çështje do të mbyllet. Sipas tij, Basha nuk mund të shpëtojë me mbrojtjen e Edi Ramës, por do japë llogari për gjithçka.

“Mos harroni deklaratën që bëri dje se ai (Rama) e dinte që paratë e Lulzim Bashës ishin ruse. Po nëse e dije si ndërhyre në gjykatë ti për ta nxjerrë të pafajshëm? Nga kush e mori urdhrin ky? Edhe sot i them Lul Bashës; ‘mos kujto se mbyllet ky problem. Do dalësh të deklarosh dhe t’u thuash shqiptarëve që tani që ka një raport me të dhëna konkrete mos mendoni se kalohet me mbrojtjen që i bën Edi Rama’. Dolën aty dhe thanë se Yuri Kim do dalë dhe do përgënjeshtrojë raportin”, tha Berisha.