Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër është pritur delegacioni i Presidiumit të Policisë çeke, me përfaqësues nga Drejtoria e Policisë Kriminale dhe Hetimit dhe nga Drejtoria e Ndërhyrjes së Shpejtë URNA.

Delegacioni kryesohej nga drejtori i Zyrës së Policisë Kriminale dhe Shërbimit Hetimor të Presidiumit të Policisë çeke, Luděk Fiala, i cili shoqërohej nga kreu i Departamentit të Kërkimit, Jan Rybár, këshilltari për Çështjet e Personave të Zhdukur, Tomáš Kohout, zëvendësdrejtori i Drejtorisë Rajonale të Ústí nad Labem, Zbyněk Dvořák dhe 4 përfaqësues të Drejtorisë së Ndërhyrjes së Shpejtë URNA.

Delegacioni u prit nga zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit Tonin Vocaj, drejtori i Departamentit të Policisë Kriminale, Neritan Nallbati dhe drejtori i Drejtorisë Vendore të Policisë Shkodër, Hamdi Fjora.

Qëllimi i vizitës së delegacionit ishte njohja me rezultatet e deritanishme të hetimeve për humbjen e 3 studentëve çekë, në Shkodër.

Delegacioni zhvilloi një vizitë në terren, në qarkun e Shkodrës, në zonën e Parkut Kombëtar të Thethit, në vendet ku janë parë për herë të fundit 3 studentët çekë.

Zv/drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit i ka bërë me dije delegacionit të Presidiumit të Policisë çeke se Policia e Shtetit ka vijuar pa ndërprerje, nën drejtimin e Prokurorisë, punën hetimore për humbjen e 3 studentëve çekë.

Vocaj ka theksuar se nëpërmjet Oficerit Ndërlidhës të Policisë çeke në Shqipëri është shkëmbyer informacion në vijimësi dhe do të vijojnë të shkëmbehen informacione për çështje me interes për policitë e të dyja vendeve.