Publikohen disa foto me imazhe të rralla të poetit, publicistit, shkrimtarit, studiuesit, përkthyesit, dramaturgut, romancierit, gazetarit, pedagogut dhe albanologut të famshëm, Ernest Koliqi, i cili u detyrua ta kalonte pjesën më të madhe të jetës së tij në mërgim, në dhé të huaj, pasi regjimi komunist i Enver Hoxhës, e kishte shpallur “tradhtar dhe armik të popullit”!

Nga fotot me vëllanë, Dom Mikelin, në vitet e para të shekullit të kaluar kur ata ishin të vegjël dhe studionin në Kolegjin Saverian të vendlindjes së tyre, në qytetin e Shkodrës, foto e vitit 1920, dy motrat e tij, Margerita dhe Antonieta, kanë pozuar me një shoqen e tyre, e bija e inxhinierit të njohur francez, Briot, fotot e vitit 1920, në Kuvendin Françeskan të Shkodrës, ku Ernesti me të vëllanë, Lec Koliqi, kanë dalë pranë Padër Gjergj Fishtës, ato të vitit 1924, në Bari të Italisë, ku Ernesti bashkë me vëllanë e tjetër, Dom Mikelin, kanë pozuar me disa nga miqtë e ngushtë të tyre, emigrantë politik, antizogistë me në krye Luigj Gurakuqin, të cilët kishin organizuar dhe marrë pjesë në ‘Kryengritjen e Qershorit’, fotot e vitit 1924, me një grup miqsh dhe vëllanë, Gulielm Koliqi, në qytetin e Shkodrës, foto e viteve ’30-të, në dasmën e nipit të tyre, Salvator Kurti, e deri tek imazhet e fiksuara në ceremoninë mortore të muzikantit të njohur shkodran dhe mikut të tyre, Palok Kurti, etj.

Pjesa më e madhe e këtyre imazheve të Ernest Koliqit, të cilat i’u dhuruan për botim redaksisë së Memorie.al nga artisti dhe biznesmeni i njohur shkodran, me banim në Tiranë, Gjon Kolqi, (një prej pinjollëve të familjes së njohur Koliqi me origjinë nga Shiroka), janë të realizuara nga Marubët e famshëm të Shkodrës./Memorie.al/