Teksa presioni mbi Serbinë për të miratuar sanksionet vazhdon, presidenti rus Vladimir Putin ka deklaruar se Rusia do të vazhdojë të thellojë bashkëpunimin me Beogradin.

Në ceremoninë e dorëzimit të marrëveshjeve për ambasadorët e vendeve të huaja, Putin theksoi se dy vendet janë partnerë strategjikë, duke shtuar se ai flet rregullisht me Vuçiç.

“Rusia dhe Serbia janë të lidhura me një partneritet strategjik. Duke u mbështetur në traditën e miqësisë, afërsinë kulturore, shpirtërore dhe historike të popujve tanë vëllezër. Unë flas rregullisht me Presidentin Vuçiç, gjatë takimeve personale dhe bisedave telefonike, për çështje kyçe për më tej si zhvillimi i bashkëpunimit”, tha lideri rus.

Sipas mediave serbe, Putin tha se Rusia e vlerëson përpjekjen e miqve të tyre serbë për të zbatuar një politikë të balancuar dhe të pavarur në arenën ndërkombëtare. duke ju referuar faktit që Serbia nuk ka vendosur sanksione ndaj Rusisë.

Rusia dhe Serbia, theksoi Putin, do të vazhdojnë të thellojnë bashkëpunimin në sferën ekonomike, shkencore-teknike dhe humanitare.

“Në kuadër të së drejtës ndërkombëtare, duke u mbështetur në rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, ne do të vazhdojmë t’u ofrojmë miqve tanë serbë ndihmë të gjithanshme në luftën për të drejtat dhe interesat legjitime të Serbisë, mbrojtjen e sovranitetit të saj shtetëror dhe integritetit territorial., përfundoi Putin.

Në ceremoni mori pjesë edhe ambasadori serb në Moskë, Momçilo Babiç.