Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas kanë goditur një tjetër rast të mosdeklarimit të të hollave në kufi.

Në pranga ka përfunduar një 28-vjeçar rezident në Angli, të cilit iu sekuestrua një sasi prej 21 550 paund, të cilat nuk i kishte deklaruar në kufi.

Materialet në ngarkim të tij i kaluan prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

“Shërbimet e Policisë Kufitare në Rinas, në vijim të kontrolleve për goditjen e paligjshmërisë, bazuar në analizën e riskut, në hyrje, kanë ushtruar kontroll të imtësishëm ndaj shtetasit F. B., 28 vjeç, rezident në Angli.

Gjatë kontrollit fizik, në çantën e tij iu gjetën 21 550 paund stërlina, të cilat nuk i kishte deklaruar në kufi.

Në përfundim të veprimeve të para, shtetasi F. B. u procedua penalisht për veprën penale “Mosdeklarimi i të hollave në kufi” dhe materialet proceduriale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, për veprime të mëtejshme”, thuhet në njoftimin e policisë.