Policia e Vlorës dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë kanë ushtruar kontrolle të shumta për armëmbajtje pa leje apo persona të shpallur në kërkim në qytetin bregdetar të Vlorës.

Dje, gjithë natën, Policia dhe FNSH-të kanë kryer kontrolle tek çdo mjet që ka kaluar në rrugën Transballkanike, atë të Kaninës (Bishti i Kalldrëmit) dhe tek rruga mbi spital. Gazetarja Ebrieta Maçaj ka bërë me dije se thirrja e FNSH në ndihmë të bluve të Vlorës zakonisht është indicie për prani të personave të rrezikshëm dhe të armatosur. Madje shton se flitet që në Vlorë mund të jetë fshehur edhe Ervis Martinaj.

“Duke qenë se një nga vendet e përfolura ku është parë për herë të fundit Ervis Martinaj ka qenë edhe Vlora, mund të dyshojmë se bëhet fjalë edhe për diçka të tillë, por nuk kemi asnjë konfirmim zyrtrar nga policia,”- raportoi gazetarja Maçaj, ndërsa aksione ka pasur edhe në Elbasan.

Ndërkohë që kontrollet vazhdojnë në Vlorë, edhe në Tiranë, çështja e zhdukjes së Martinajt është kthyer në kryefjalë. Një takim i fshehtë është mbajtur gjatë ditëve të fundit në SPAK, por nuk ka ende detaje lidhur me çfarë është diskutuar nga palët lidhur me zhdukjen më të bujshme të viteve të fundit në Shqipëri. Mendohet që të jetë kërkuar marrja e dosjes për hetim nga SPAK, pasi tani është në duart e hetuesëve të Kurbinit.

Ervis Martinaj, biznesmeni i lojërave të fatit ishte shpallur në kërkim, në kuadër të operacionit “Plumbi i Artë”, pasi i penduari i drejtësisë Nuredin Dumani, tha se i kishte ofruar një ‘çek të bardhë’ në këmbim të ‘kokës’ së Indrit Dokles. Por, në 8 gusht, ai u zhduk pa gjurmë. Alarmin e ngritën familjarët e Martinajt dhe tashmë prokuroria po heton për rrëmbim personi. Lidhur me këtë çështje, ka pasur edhe reagime nga kryeministri Edi Rama. Ndërsa dje paralajmëroi edhe zhvillime, duke u shprehur se Policia e ka që sot një përgjigje, shumë shpejt do kemi prova.