Ministria e Punëve të Brendshme të Serbisë përmes një komunikate për media ka njoftuar se ka kapur 50 kilogram drogë të llojit marijuanë.
Sipas Ministrisë së Punëve të Brendshme Serbe, ky ishte një aksion ku u shkatërrua një rrjet i kontrabandës që niste nga Shqipëria kalonte nëpër Kosovë dhe përfundonte në Serbi. Nga ky aksion kanë mbetur të arrestuar pesë persona për shkak të dyshimeve se të njëjtit kanë kryer veprën penale të prodhimit dhe shpërndarjes së paautorizuar të narkotikëve, raporton Gazeta Express.
Te personat me inicialet S.M (1993) dhe I.Z (1999) është kapur një sasi e drogës prej 30 kilogramëve, derisa tek të arrestuarit tjerë A.D (1980), G.K (1973) dhe G.K (1981) është gjetur pjesa tjetër e marijuanës dhe pak kokainë.
Ministria e Brendshme e Serbisë tre të arrestuarit e fundit e kishin dërguar sasinë e drogës nga Kosova në Serbi me një makinë e cila ishte e shënuar me shenjën e misionit të “OSBE”-së.
Këta tre të fundit janë arrestuar derisa kanë tentuar të largohen nga vendi i ngjarjes ku ishte planifikuar ta linin dërgesën.
“Të dyshuarve u është caktuar masa e ndalimit deri në 48 orë, pas së cilës me kallëzim penal do t’i dorëzohen Prokurorisë së Lartë Publike në Beograd”, thuhet në njoftim.
Comments are closed.