Me ftesë të Mbretit Charles III, të Mbretërisë së Bashkuar dhe Commonwealth-it, Presidenti Bajram Begaj, niset sot drejt Londrës për të marrë pjesë në Funeralin Shtetëror për Mbretëreshën Elizabeth II.

I shoqëruar nga Zonja e Parë, Armanda Begaj, Presidenti do të jetë pjesë e ceremonialit të homazheve, për nder të Mbretëreshës Elizabeth II.

Gjithashtu, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë e Republikës së Shqipërisë, do të jenë të ftuar në pritjen mbretërore, në të cilën krerët e shteteve nga e gjithë bota do të mirëpriten nga Mbreti Charles III, në Pallatin Buckingham.

Në kuadër të programit ceremonial, Presidenti Begaj dhe Zonja e Parë, Armanda Begaj, do të marrin pjesë dhe në pritjen e organizuar nga Ministri i Jashtëm i Mbretërisë së Bashkuar.

Në ceremonitë e organizuara me këtë rast, do të marrin pjesë autoritetet më të larta shtetërore të vendeve të ndryshme të botës.