Akuzat e Berishës se mbylli çështjen “Basha” me drejtësinë, Rama: Kjo është dora e një shejtan budallai, ku hyj unë këtu?

Ish-kryeministri Berisha gjatë ditës së djeshme akuzoi kryeministrin e vendit, Edi Rama se i mbylli Lulzim Bashës hetimin lidhur me çështjen e lobimit rus.

“Lulzim Basha, i pyetur nga unë, më deklaroi se paratë e paguara për Nick Muzin, janë para të mbledhura në përputhje me rregullat në diasporën shqiptare në SHBA dhe se artikulli nuk ka asgjë të vërtetë. Midis artikullit të gazetës dhe shpjegimit të Bashës, unë kam besuar variantin e këtij të fundit. Më vonë jam vënë në dijeni të faktit se Basha mbahej peng me dosjen Muzin, dhe se çështja ndaj tij u mbyll në gjykatë me ndërhyrje të Agaçit, ku prokurori duke shkelur ligjin, nuk bëri rekurs në Gjykatën e Lartë, në kundërshtim flagrant me ligjin”, deklaroi dje Berisha.

Kryeministri gjatë bashkëbisedimit me gazetarët tha se nuk ka lidhje me këtë çështje.

Pyetje: Sa gisht keni ju në mbylljen e çështjes Basha sa i përket financimeve ruse?

Rama: Ai që ju quani kryetari i PD është turpi në gojën e kujtdo që e sjell si pikë referimi në raport me botën e informacionit. Që kur Shqipëria është bërë shtet nuk e ka një të dytë si ai. tani çfarë kërkoni. Kërkoni realisht ta marr seriozisht këtë pyetje dhe t’ju jap përgjigje. A nuk është i njëjti që mohoi me forcë çdo lidhje të financimeve ruse me PD? A nuk është i njëjti që i vuri gjoksin dehe e mbrojti Lulzim Bashën? Ku hyj unë? Ku është dora ime në këtë mes? Kjo nuk është dora e një budallai, por një shejtan budallai që torolis një vend të tërë duke ju tërhequr për hunde të gjithë ju që vazhdoni e pranoni me veten tuaj që ta konsideroni si pikë referimi, si një subjekt që meriton të hyjë në gojën tuaj dhe të futet të mes të debatit publik?

/Abcnews.al/