Shumë bashki në Shqipëri me më pak se 20 mijë banorë konsiderohen të vogla dhe kanë sfida të mëdha sidomos me krijimin e të ardhurave për mbështetjen e shërbimeve. Në bashkinë e Tepelenës treguesit e varfërisë dhe papunësisë janë rritur dhe përbëjnë një sfidë për qeverinë vendore. Qeveria shqiptare ka investuar në këtë zonë disa dhjetëra milionë dollarë, sidomos për infrastrukturën dhe turizmin, por do duhet kohë që investimet të kthehen në përfitime financiare ndërkohë që të rinjtë po largohen.
Tepelena, një qytet i vogël me rreth 8 mijë banorë, në Qarkun e Gjirokastrës, ka njohur vitet e fundit disa investime të rëndësishme shtetërore në dhjetëra milionë dollarë kryesisht në infrastrukturë dhe turizëm.
Por investimet, sipas vlerësimeve vendore, do të duan kohë të kthehen në përfitime financiare ndërkohë që treguesit e varfërisë janë rritur në qytet edhe prej rritjes së çmimeve, sidomos të ushqimeve.
“Bashkia e Tepelenës ka marrë një zhvillim të qënësishëm në fushën e turizmit prej investimeve të rëndësishme që ka zhvilluar qeveria në territorin e saj. Mund të përmend rikualifikimin e qendrës dhe Kalasë së Ali Pashës, asfaltimin e disa rrugëve rurale në zona malore turistike që lidhin tashmë Tepelenën edhe me Vlorën. Por ende ne jemi në fazat fillestare që ky investim i madh që është bërë nuk po përkthehet në vlera të qëndrueshme fianciare në buxhetin e Bashkisë për t’ju kthyer më pas qytetarëve në formën e shërbimeve publike”.
Zoti Kora thotë më tej se fuqizimi financiar i qeverisë vendore ka nevojë për mbështetje. Ai sheh si mundësi konkrete të rritjes së të ardhurave decentralizimin e pushtetit vendor.
“Mendimi im dhe si fiancier dhe si sepcialist i fushës është decentralizimi finaciar që qeveria duhet t’u japë bashkive dhe sidomos atyre me kapacitet të vogël financiar. Hartimi i planit të përgjithshëm vendor, hapësirat ligjore që na jepen në dhënien me qera të aseteve ose shitjeve të pronave publike në administrim do të ishin burim i qënësishëm krahas turizmit në fuqizimin financiar të bashksië sonë”.
Bashkia e Tepelenës jep gati çdo vit rreth 25% të programit buxhetor për kujdesin social për familjet dhe fëmijët ndërkohë që ndihma më e madhe ekonomike përballohet nga buxheti i shtetit.
Armand Sala, administrator shoqëror për ndihmën ekonomike thotë se 312 familje në Tepelenë marrin këtë vit ndihmë ekonomike si nga skemat shtetërore edhe ato vendore.
“Kemi 218 familje në skemën e pikëzimit që mbështetet nga buxheti shtetit, tek fondi 6% trajtohen me ndihmë ekonomike rreth 20 familje dhe tek fondet e vetë bashkisë trajtohen rreth 74 familje. Në total janë 312 familje që trajtohen me ndihmë ekonomike në rrethin e Tepelenës.”
Niveli mujor i ndihmës ekonomike nuk është aq i lartë për të përballuar jetesën dhe rrritja e fundit e çmimeve sidomos të ushqimeve është shqetësuese, thotë zoti Sala.
“Ndihma ekonmike nuk është shumë e lartë për të përballuar muajin apo jetesën pasi shumë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike janë me qera. Dhe kjo rritja e fundit e çmimeve sidomos të ushqimeve është shqetësuese”.
Comments are closed.