Ministrja e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Ogerta Manastirliu, përmes një postimi në facebook ka ndarë lajmin e mirë për një infermiere nga Prishtina e cila është bërë nënë për herë të parë në moshën 52-vjeçare duke sjellë ne jetë një vajzë në Maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë.

“52 vjeçarja, infermiere në Prishtinë bëhet nënë për herë të parë në Maternitetin “Koço Gliozheni” në Tiranë. Alea e vogël e ka fituar betejën për jetën, duke i sjellë një gëzim të papërshkruar nënës së saj dhe të gjithë stafit të terapisë intensive, që bëjnë një punë fantastike me të porsalindurit, duke shpëtuar jetë”, shkruan Manastirliu.

Duke shprehur gjithë kënaqësinë dhe emocionet, nëna 52-vjeçare ka shprehur mirënjohjen për stafin e Maternitetit “Koço Gliozheni”.

“Mama për herë të parë. Ndihem shumë e lumtur, jashtë mase. Nuk kam fjalë të përshkruaj, aq e lumtur që jam. Rruga ishte e gjatë. Eksperienca ishte shumë e mirë. Jam e kënaqur nga stafi si mjekësor, si stafi infermier, jam shumë shumë e kënaqur. Ka qenë një sfidë e madhe edhe për mua edhe për bebin, por më në fund ja dolëm”, u shpreh e emocionuar nëna.