Me kostot që rriten përditë dhe mungesën e punëtorëve, sektori i fasonerisë mezi po i mbijeton tregut. Edvin Prençe, kryetar i Shoqatës Pro-Eksport thotë për Gazetasi.al se tregu për momentin ka nevojë për rreth 20 mijë punëtorë.
Ai shton se ndonëse ka patur një trend në rritje të lehtë për punonjës të mëparshëm që po rikthehen të nxitur nga pasiguria ekonomike, oferta është shumë larg nevojave për vende pune që sektori kërkon.
Numri i punonjësve të munguar është rritur me 5 mijë që nga viti i kaluar. Emigracioni është arsyeja kryesore. “Njerëzit po largohen çdo ditë jashtë vendit. Një rigjenerim i një fashe moshe me punonjës të rinj në moshë po kthehet në tabu dhe gati po fillon të zhduket.
Kriza për fuqi punëtore ka kohë që po ndihet në të gjithë botën edhe në Amerikën e Largët. Kostot që rriten përditë për të mbajtur aktiv një biznes në sektorin ‘Manifakturë të veshjeve dhe këpucëve’ si dhe gjetja e punonjësve per makineri qe rrinë bosh në fabrikat tona, po kthehet sfida e momentit për të mbijetuar”, vijon Prençe për Gazetasi.al. Rritja e kostos së energjisë, karburantit,mungesa e likuiditetit që kanë bizneset për investime dhe mos mbështetja e qeverisë sipas Prençes po favorizojnë vendet e tjera të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia.
“Konkurrentët tanë në vende si Maqedonia apo Serbia janë të mbrojtur dhe të mbështetur nga shtetet e tyre. Rreziku që firmat e huaja të cilët bashkëpunojnë me ne të largohen drejt këtyre vendeve është tepër i lartë”, shton ai për Gazetasi.al. Për të sektori është “zemra e ekonomisë” shqiptare. Vetëm në gjysmën e parë të këtij viti të ardhurat nga fasoni arritën në 340 milionë euro ndaj sipas tij qeveria duhet t’i mbështesë më shumë.
Comments are closed.