Edhe pse ka shumicën e anëtarëve demokratë, ish-kryeministri Sali Berisha nuk po i del prej gati 1 viti që të sigurojë shumicën e grupit parlamentar të Partisë Demokratike. Vazhdimisht, që prej nisjes së mbledhjeve të grupit parlamentar të Grupit të Rithemelimit të PD, gjithmonë më pak se 26 deputetë të PD kanë marrë pjesë në takimet e thirrura nga Berisha.
Ditën e djeshme, PD thërriti mbledhjen e parë për diskutimet lidhur me hartimin e Reformës Administrativo-Territoriale, në të cilën ishin pjesëmarrës 15 deputetë. Pavarësisht se Berisha nuk ka pranuar që deputetët demokratë të tij të marrin pjesë në këtë tryezë mes fraksionit të PD të drejtuar nga Enkelejd Alibeaj dhe Partisë Socialiste, përsëri ai ka angazhuar një grup pune që do të nxjerrë raportin përfundimtar për këtë reformë, e cila është kërkuar të realizohet pas mospërmbushjes së objektivave të asaj të 2015.
Në mbledhjen e djeshme të thirrur nga ish-kryeministri Sali Berisha, ishin të pranishëm 15 deputetët demokratë: Sali Berisha, Luçiano Boçi, Agron Shehaj, Luan Baçi, Bujar Leskaj, Oerd Bylykbashi, Greta Bardeli, Ina Zhupa, Flamur Noka, Edi Paloka, Tritan Shehu, Edmond Spaho, Albana Vokshi, Elda Hoti dhe Isuf Çelaj.
Për herë të parë në këto mbledhje, u bashkua dhe deputetja e Shkodrës, Greta Bardeli, e cila që pas dorëheqjes së Lulzim Basha nga lidershipi i PD ka qëndruar neutrale në konfliktin e brendshëm mes demokratëve. Tre deputetët e tjerë, Tomor Alizoti, Xhelal Mziu dhe Belind Këlliçi nuk ishin të pranishëm.
Në mbledhjen e grupit parlamentar t PD në 1 shtator, përpara se të niste sezoni i ri i Kuvendit të Shqipërisë, 28 deputetë të PD rikonfirmuan si kryetar të grupit parlamentar, Enkelejd Alibeajn.
Comments are closed.