Një kronikë e Zërit të Amerikës, se PD ka marë fonde nga Rusia ka rihapur një debat që del në sipërfaqe dhe zhduket në mënyrë periodike që prej vitit 2018. Këtë herë media amerikane në gjuhën shqipe i referohej një raporti të zbulimit amerikan, i cili analizonte financimet e Moskës “në mbi 24 vende gjatë viteve të fundit në një përpjekje për të manipuluar demokracitë nga brenda”. Sipas një zyrtari të Qeverisë amerikane në kushtet e anonimatit: “Në Shqipëri, Rusia i dha rreth gjysmë milioni dollarë Partisë Demokratike në 2017 përmes kompanive fantazëm”.
Kaq është dashur që ky lajm të rindezi luftën e brendshme politike. Nëse katër vite më parë ishin socialistët që e sulmonin ashpër Lulzim Bashën se donte të zhvendoste aksin pro përendimor të Shqipërisë, tani janë vëllezërit e tij armiq të foltores që po bëjnë me zell të njëjtën gjë. “Partia Demokratike është forca e parë euro- atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish- komuniste e planit për anëtarësim në NATO dhe Komunitetin Europian. Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës.
Gjithashtu, Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere per marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike”, thuhej në deklaratën e selisë blu.
Nga ana e tij Basha bëri një përgënjeshtrim formal duke thënë se “Partia Demokratike nuk ka marrë kurrë asnjë financim të huaj e aq më pak me burim rus” dhe duke pretenduar se ajo ka bashkëpunuar me drejtësinë duke zbardhur këtë aferë.
Por deklaratat e të gjitha palëve duhen marrë me rezervë. Së pari sepse mbështetësit e Berishës që e akuzojnë Bashën sot, në 2018 kur plasi ky denoncim e mbronin atë në të gjitha format duke pretenduar se kjo ishte një lojë e mediave të financuara nga Soros. Pra ata janë pak të besueshëm se përdorin standarte të dyfishta. Nga ana tjetër, ish kreu i PD e ka humbur koherencën sepse ka dhënë versione të ndryshme për këtë ngjarje.
Basha është shprehur në fillim se ajo u dha nga shqiptaro- amerikanët, por më pas bëri në piruetë duke ia lënë topin në derë kompanisë lobuese: “Çfarë ka bërë lobuesi dhe si e ka bërë lobuesi e di ai. Janë marrëdhënie të firmës Muzin me palë të treta”, ka qenë qëndrimi i tij.
Po atëherë cilit version i duhet besuar? Lapsi.al ka bërë një ballafaqim të fakteve dhe të mundësisë që ka pasur PD për të marrë financime nga Moska. E vetmja indicie që ekziston për këtë është një artikull që revista “Mother Jones” e publikoi në mars 2018.
Në atë investigim tregohej mënyra se si PD kishte paguar për të lobuar në SHBA, duke siguruar një foto të Bashës me presidentin Trump para fushatës zgjedhore 2017, disa artikuj në shtypin amerikan si dhe kontakte me kongresmenë dhe senatorë. Gjithsej bëhej fjalë për 675 mijë USD. Pra mendimi i parë që të shkon në mendje është se bëhet fjalë për të njëjtën pistë që investigoi “Mother Jones”, që e rimori më pas edhe New York Times. Sepse shifra është e përafërt me gjysëm milionshin për të cilin foli zyrtari anonim në Zërin e Amerikës në Shqip.
“Mother Jones” i përgjigjet PD/ E vërteta e futjes së milionave ruse në politikën shqiptare
Por ama këtu ka një problem. Po t’i rikthehesh investigimit të revistës amerikane nga ai del se vetëm një shifër fare e vogël e kësaj shumë mund të ketë një përkim me rusët. Artikulli i “Mother Jones” ngrinte dyshime se pas një pjese të pagesave të bëra nga kompania “Biniatta Trade LP”, me bazë në Skoci, qëndrojnë biznesmenë rusë. “Biniatta Trade LP” ishte një nga pagueset e shumës 675 mijë euroshe që i ishin derdhur për llogari të PD-së, firmës lobuese amerikane ‘Muzin Capitol Partners’.
Sipas deklarimeve të vetë firmës lobuese, ajo i ka marrë pagesat në tre këste gjatë vitit 2017. Pagesa e parë mban datën 24 mars 2017 dhe është bërë nga firma ‘Biniatta Trade LP”, me një vlerë prej 150 mijë dollarësh, dy pagesat e tjera janë bërë nga Partia Demokratike, njëra më 27 mars, për 25 mijë dollarë, dhe tjetra më 9 qershor për 500 mijë dollarë.
Pra sikurse shikohet nga këto të dhëna, më problematikja për aferën ruse del pagesa e parë e kryer nga ‘Biniatta Trade LP”, e cila rezulton e regjistruar në Edinburg të Skocisë dhe është në pronësi të një zinxhiri kompanish të regjistruara në Belizë – një shtet i Amerikës Qendrore, i njohur si parajsë fiskale.
Sipas investigimit të revistës “Mother Jones”, “Biniatta Trade LP” është një partneritet i krijuar nga dy kompani: Asverro Corp dhe Liminez Commerce, për të cilat “nuk ka të dhëna publike për ndonjë aktivitet tregtar”. Pas këtyre dy kompanive, sipas “Mother Jones”, qëndrojnë dy shoqëri të tjera të regjistruara në Mbretërinë e Bashkuar, “Babyonica” dhe “KF Global Management”, aksionet e të cilave zotërohen në masën 75 për qind nga dy shtetas rus, Evgeny Sheremetyev dhe Kostantin Ferulev (edhe skema e pagesave sipas “Mother Jones”/poshtë).
Comments are closed.