Bashkia Vau Dejës ka nisur punën për rehabilitimin e përroit i cili përmbyti dhjetëra shtëpi pesë ditë më parë. Kryebashkiaku Mark Babani thotë se janë vënë në funksion një mjet i bashkisë, një nga Bordi i Kullimit dhe emergjencat civile me qëllim rehabilitimin e përroit, ndonëse sipas tij zgjidhje përfundimtare do të ishte financimi i projektit që Bashkia e ka përfunduar tashmë.

I pyetur mbi akuzat që PD Vau Dejës hedh në drejtim të tij, Babani thotë se përroi nuk ka aspak lidhje me kanalet kulluese, ndërkohë që janë ndërtimet pa leje të dhëna ndër vite dhe mungesa e investimeve për 30 vite të cilat kanë çuar në këtë gjendje.

Babani thotë se sipas parashikimeve fundjava do ketë rikthim të reshjeve, ndërsa po merren masa në mënyrë që historia të mos përsëritet. Ndërkohë krahas punimeve Bashkia Shkodër ka ngritur komisionin edhe për vlerësimin e dëmeve të cilat janë të konsiderueshme si në banesa, ashtu edhe në bagëti.