Partia Socialiste duket se ka arritur në përfundimin se ndarja aktuale territoriale e Shqipërisë është e duhura. Kreu i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla në fund të mbledhjes së grupit tha sot se kanë arritur në përfundimin se PS i qëndron ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.
“Ka pasur propozime edhe për zvogëlim edhe për zmadhim të numrit. Nisur nga fakti që kanë kaluar vetëm 7 vite nga reforma e fundit. Të gjitha reformat janë përmirësuar. Ne kemi përmirësuar edhe shërbimin online. Kemi konkluduar që pozicioni ynë në komisionin e posaçëm është t’i qëndrojmë ndarjes aktuale me 61 bashki dhe 12 qarqe.”- tha Balla nga Kryesia e Kuvendit.
Partia Demokratike e quan këtë lëvizje të socialistëve si një tallje me qytetarët. Bashkëkryetarja e Reformës Territoriale-Administrative, deputetja e PD-së Dhurata Çupi, në një postim në rrjetet sociale, thotë se Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vërtetë elektorale dhe kërkon rezultat në tavolinë.
Kujtojmë se grupimi Alibeaj në draftin e tyre të reformës territoriale, propozuan hartë të re me 92 bashki dhe 6 rajone. Nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.
Comments are closed.