Një ecje nëpër sheshin e bukur të Shkodrës, të mbetet gjatë në mendje. Ajo që të tërheqë më shumë këtu është pamja e bukur e sheshit e rrethuar nga katër anët me malet e bukura shqiptare, me pikë vrojtimi nga kalaja e Rozafës.
Ndërsa një thënie që e gjen pothuajse pranë çdo dyqani, dhe e dëgjon shpesh nga vendasit është “Me ken shkodran të tana i ban”
Flamuri i përkufizimit “Me ken shkodran, të tana i ban”, më shumë se një valvitës mburrjeje mbetet një detyresë për t’i bërë të gjitha, si shkodran, me sa më shumë modesti.
Shkodra ishte qendër e madhe dhe plot jetë. Një nga qytetet më të lashta në krejt gadishullin, bashkëkohëse e Romës antike. Shkodra me gjithë furtunat që i kishtin kaluar përsipër e ruante peshën dhe hijen e saj. Hijen e pushtetit të dikurshëm të padronëve të saj, derës së famshme të Bushatllinjve, shpatëndëshkuese e krejt sulltanëve në Gadishullin e Ballkanit, madje më larg, gjer në Hungari e në Kretë, hijen e fesë katolike, kuvendet e kishat e së cilës nuk ishin më pak të fuqishme, dhe së fundi hijen e maleve, atë hije të rëndë tragjike që me mijëra kanale e udhë misterioze zbriste nga Malësia e Madhe, nga Bjeshkët e Nemuna, nga krejt Rrafshi verior i Shqipërisë, për të plotësuar, për të zëvendësuar apo për të korrigjuar diçka në statusin shpirtëror të këtij qyteti. Por nuk ishin vetëm këto.
Përveç kështjellës dhe kishave, kullave, kambanoreve dhe minareve, Shkodra kishte jetë kulturore, biblioteka, arkiva mesjetare, zyra konsujsh, revista letrare që shpërndaheshin në të gjithë vendin.
Ajo kishte intelektualë, sallone ku fliteshin e diskutoheshin gjithfarë problemesh, gra të bukura dhe histori të ndërlikuara dashurie, dyqane ku shiteshin libra, disqe e parfume të Parisit, aventurierë, skandale, maniakë nga ato që pjell qytetërimi etj. /KultPlus.com
Comments are closed.