Dhjetëra të mitur që rezultojnë të aktivizuar ne vjedhje banale po shpëtojnë nga arrestimi për shkak të moshës për t’i marrë nën përgjegjësi penale.
Por përballë vjedhjeve të biçikletave, telefonëve, deri edhe elektroshtepiakëve që po kryhen nga kjo grupmoshe, drejtësia po përpiqet ta frenojë fenomenin duke vënë nën përgjegjësi personat që i blejnë këto sende. Dosja e E.K., një fëmijë që njihet si hajdut serial në kryeqytet, i ka detyruar agjentët e komisariatit numër 2 që të vihen në kërkim të personave që kanë blerë sendet e vjedhura nga fëmija.
Disa pronarë dyqanesh janë nën hetim, pretendon prokuroria e Tiranës, për çështje të tjera të ngjashme, e megjithatë i pari që përfundoi nën akuzë për përvetësim të mallrave të vjedhur nga i mituri është 33-vjeçari B. Z., për të cilin akuza provoi se kishte blerë prej tij një telefon të vjedhur.
Në përfundim të hetimeve sipas dosjes që iu vendos në dispozicion Top Channel, 33-vjeçari përfundoi i akuzuar nga rrëfimi i hajdutit të mitur.
“Jam edhe autor i vjedhjes të një telefoni në farmaci dhe këtë telefon e shita në një dyqan celularësh”, deklaron i mituri në fashikullin e dorëzuar në gjykatë, duke rrëfyer edhe adresën. Por pronari tanimë nën akuzë, ndonëse pranon se në dyqanin e tij u paraqit një fëmijë për të shitur një telefon, ai i kërkoi që të sillte prindërit dhe kartën e identitetit.
Pas kësaj, shpjegon i dyshuari, fëmija m’u lut ta linte telefonin në karikim dhe u largua. Prita tre ditë arsyeton i dyshuari që fëmija i telefonit të kthehej, por në vend të tij erdhi Policia./TopChannel
Comments are closed.