FAQJA E PARË E HISTORISË SË SHQIPËRISË
Për fat të keq, gjatë historisë së Shqipërisë, diçka që ka munguar vazhdimisht ka qenë dokumentimi i ndodhive. Sot, përveç disa kronikave sporadike, ka periudha të historisë tonë krejtësisht të padokumentuara. E tillë është edhe periudha kur trojet tona ishin nën Bizantin ku, për disa shekuj, ato nuk përmenden në asnjë dokument.
I pari dokumentues i plotë i historisë së Shqipërisë është figura e shquar e kombit shqiptar, historiani dhe romancieri i parë, Dom Ndoc Nikaj. Ai ishte një meshtar nga Shkodra, i cili u mor me letërsinë, historinë, meshtarinë dhe madje, edhe me biznesin. Ishte pronar i një prej shtypshkronjave më të vjetra në Shkodër, shtypshkronja “Nikaj” në të cilën janë botuar edhe numrat e parë të revistës “Hylli i Dritës”.
Në librin e tij voluminoz “Historija e Shqypnis”, ai shkruan “Faqja e parë e historisë” të cilën, të përshtatur në standardin e sotshëm të gjuhës shqipe, po e paraqesim më poshtë:
“Kohët e hershme të tokës sonë mund të quhen si kohë të errëta, pasi i mbulon një farë errësire që nuk na lë të zbulojmë e të dimë sa të ndodhura i përshkuan këto dhera. Kjo errësirë na vjen neve sot, ngaqë të parët tanë nuk ishin të dhënë që moti pas dijes dhe pas hollimit të mendjes.
Por, si mund të përshkruhen dhe të njihen veprat e tyre, ndërmjet atyre pak rreze drite që arritën deri ndër ditët tona? Ata deshën gjithnjë të shkëlqenin dhe të ndrinin sa më shumë në trimëri e në burrëri. Të nxehtë nga gjaku e të hidhët nga zemra, nuk mund të gjenin tjetër vend për të shfryrë përveç se ndër luftëra ndër trimëri, e kështu, në vend të shkrimit të ndodhive të veta, na trashëguan zërin e madh për shpatë e për burrëri që djalë pas djali ndriti ndër zemrat të gjithë shqiptarëve e ndër ushtritë e tyre.
Pavarësisht se ata pësonin humbje dhe disa prej tyre vdisnin, ata nuk u lodhën asnjëherë deri në ditët e sotshme, por të lirë, ku më shumë e ku më pak, e mbajtën lart flamurin e lirisë e zërin e trimërisë!”/Hejza
Comments are closed.