Nga Ilir Ikonomi

Pazari i Shkodrës – nga lulëzimi në gërmadhë – Nga Ilir Ikonomi

(Fotoja bardhë e zi është e Marubit, fotot me ngjyra janë realizuar në tetor-nëntor 1913 dhe janë marrë nga Musée Albert Kahn, Boulogne-Billancourt).

Pazari shtrihej në këmbë të Rozafës. Sipas revistës angleze “The Economist” të 12 prillit 1913, thuhej se ky ishte pazari më i bukur i Turqisë dhe ia kalonte ndoshta vetëm ai i Prizrenit.

Në sokaqet e këtij labirinthi të pashoq dyqanet numëroheshin me qindra dhe ishin gjithfarësh. Aty punonin saraçët, arkaxhinjtë, kutruvexhinjtë, terzinjtë, këpucarët, argjendarët, kazazët, qerrexhinjtë e lloj-lloj zanatçinjsh të tjerë. Diku qepej shajaku i zi për të bërë xhoka e tallaganë; pak më tej shiteshin ushqime, basme dhe ilaçe; kishte pastaj çikrrimtarë e buktarë dhe nuk mungonin as sekserët e pareve.

Krenaria e pazarit ishte Bexhisteni, një lloj kompleksi me mure të lartë prej guri dhe me porta të rënda që e lidhnin me sokaqet e tjerë. Bexhisteni ishte pazar brenda pazarit dhe nuk kishte të sharë për nga rregulli dhe kollajllëku. Mund të porositje kafen dhe kafexhiu ta sillte te dera e dyqanit.
Berberi, përveçse qethte e rruante, ofronte edhe shërbime të tilla si hekurosjen e fesëve dhe të takijeve.

Dyqanet nuk përdornin dëftesa dhe kambiale, sepse fjala e dhënë mjaftonte për t’i zënë besë atij që nuk kishte para të gatshme për të paguar.

Pas rrethimit të tm errshëm nga ushtritë serbe dhe malazeze që kaloi Shkodra, më 14 maj 1913 atje zbarkuan detashmentet e flotës ndërkombëtare. Por, pikërisht para se të arrinin ndërkombëtarët, malazezët e dogjën pazarin, të cilin e kishin plaçkitur qysh më parë. U shkrumbuan më shumë se 400 dyqane.