Zbulohen detaje të reja nga tentative për të djegur me benzinë vajzën 16-vjeçare në Tiranë. E mitura ka treguar përballë një oficere të gjithë skenën tragjike, ku bashkëjetuesi i saj, Ardit Çela, së bashku me dy shokët e tij, kishin tentuar ta digjnin me benzinë në shkallët e pallatit.

Sipas dosjes hetimore që tashmë po ndiqet nga prokurori i Tiranës Saimir Hysa, autori kryesor i këtij krimi është Ardit Çela, djali i një ish-punonjësi policie në Tiranë.

Çela ka pasur mosmarrëveshje me vajzën e re kohët e fundit për shkak të dyshimeve për tradhti. Ai e ka survejuar një ditë 16-vjeçaren duke e pikasur atë me një person tjetër në hotel. Kjo ka sjellë që Çela të hakmerret, në formën me ekstreme duke vënë në zbatim planin për ta djegur me benzinë 16-vjeçaren.

Çela konsiderohet nga strukturat e komisariatit nr. 2 në Tiranë si kontingjent kriminal dhe i shoqëruar disa herë në polici.

Por këtë herë ai është bërë protagonist i një ngjarje të rëndë, duke tentuar të vrasë bashkëjetuesen e tij, të cilën e ka lyer me benzinë dhe më pas ka dashur t’ia verë zjarrin me çakmak.

Sipas dëshmisë së vajzës, bashkëjetuesi benzinën e kishte siguruar në një bidon të vogël që përdoret për pijet freskuese.