Prokuroria dhe Antiterrori kanë gjetur materiale, mesazhe dhe dokumente të dyshimta në telefonat e dy shtetasve rusë dhe ukrainasit të arrestuar pas incidentit në Uzinën Ushtarake të Gramshit. Ata rezulton se kanë fotografuar edhe baza të tjera ushtarake në Shqipëri ndërsa më të dyshimtë praninë e tyre në vendin tonë e bën fakti se kanë hyrë nga tri pika të ndryshme kufitare në vend, për tu bërë bashkë vetëm brenda territorit të vendit tonë.

Tre shtetasit e huaj të arrestuar pas incidentit në Uzinën e Gramshit më 20 gusht po hetohen për veprimtari spiunazhi në Shqipëri. Shtetasi ukrainas Fiodor Mihailoviç, dhe dy rusët Svetlana Timofoeva dhe Mikhail Zorin deri në këtë fazë të hetimit akuzohen për tri vepra penale, por të dhënat dhe komunikimet e gjetura në telefonat e tyre pas arrestimit, kanë ngritur dyshime se aktiviteti i tyre në Shqipëri ka qenë vëzhgimi dhe mbledhja e informacionit për objektet ushtarake.

Burime nga grupi i hetimit thanë për Ora News, se në telefonat e shtetasve ruse dhe ukrainas, janë gjetur fotografi dhe materiale të tjera të bazave të tjera ushtarake në Shqipëri përveç asaj të Gramshit.

Këto materiale i përkasin periudhës së muajit gusht të këtij viti, dhe për prokurorinë përforcojnë dyshimet se këta 3 shtetas të jenë pjesë e një rrjeti spiunazhi që ka si synim të dëmtojë interesat e vendit tonë.

Burime nga grupi hetimor bënë të ditur, se pas incidentit në Uzinën e Gramshit ku u lënduan me lëndë kimike 2 ushtarakë shqiptarë, rusëve e ukrainasit të arrestuar u janë sekuestruar aparatet celulare ku kanë gjetur shkëmbime informacioni dhe komunikime të dyshimta me persona të tjerë përmes aplikacioneve të ndryshme kryesisht në “Telegram”.

Kjo platformë besohet se është përdorur me qëllim shmangien e gjurmimit dhe të përgjimit të komunikimeve nga autoritetet e sigurisë.

Në hetimin e incidentit pranë Uzinës së Armëve në Gramsh është përfshirë edhe shërbimi informative ushtarak dhe antiterrori ndërsa ndaj tre shtetasve të huaj, janë ngritur akuzat “Goditja për shkak të detyrës”, “Dhënia e informatave sekrete”, dhe “Sigurimi i informatave”, kryer në bashkëpunim.

Nëse shpallen fajtorë për këto vepra, tre shtetasit rusë rrezikojnë dënime nga 3 deri në 20 vjet burg sipas Kodit Penal në Shqipëri.

Hyne nga 3 pika te ndryshme shqiptare

Një tjetër element i dyshimtë për aktivitetin e tyre në vendin tonë është edhe hyrja në Shqipëri nga pika të ndryshme kufitare.

Njëri prej tyre ka hyrë në vendin tonë nga porti i Durrësit bashkë me automjetin që kanë përdorur për të lëvizur për reth tri javë në zona të ndryshme ndërsa dy të tjerët kanë hyrë nga Rinasi dhe Muriqani për tu bashkuar vetëm pasi kanë hyrë në territorin shqiptar.