500 persona të huaj nga vendet e treta janë deportuar nga vendi jonë. Policia Kufitare e Rinasit, bënë të ditur se personat në fjalë kanë qenë të dyshuar për qëllimin e udhëtimit. Shefi i Komisariatit të Policisë Rinas Komisar Përparim Dema ka deklaruar se aktualisht, jemi në pikun e sezonit turistik 2022, gjatë të cilit, sipas tij, fluksi është 50% më shumë së gjatë vitit 2019.

“Nga ana jonë janë marrë masat duke shtuar shërbimet për të menaxhuar fluksin. Risi për këtë vit janë edhe pajisjet e-gate, pajisje këto që ndihmojnë në procedurat e kontrollit kufitar, duke përpunuar deri në 30% të pasagjerëve. Janë shtuar kontrollet edhe për të parandaluar dhe goditur veprimtaritë e paligjshme në kufi, ku përgjatë sezonit turistik janë goditur mbi 40 raste të dokumenteve të falsifikuara. Shtetas të ndryshëm kanë tentuar të hynë apo të dalin nga RSh, duke përdorur dokumente të falsifikuara.

Kjo, falë edhe pajisjeve moderne të ardhura së fundi në dispozicion të Policisë Kufitare. Gjithashtu, janë kapur nga shërbimet e Policisë Kufitare rreth 80 shtetas në kërkim kombëtar dhe ndërkombëtar, duke bashkëpunuar edhe me strukturat e tjera të Policisë së Shtetit, kryesisht Interpol Tiranën dhe FAST Albania-n. Masat janë shtuar edhe në hyrje të RSh, duke iu refuzuar hyrjen në Shqipëri, rreth 500 shtetasve të vendeve të treta, të cilët kanë qënë të dyshuar për qëllimin e udhëtimit.

Komisariati i Rinasit ka një peshë specifike edhe në përpunimin e shtetasve të deportuar dhe për këtë vit janë përpunuar mbi 3200 shtetas, të cilët janë prapësuar kryesisht nga Britania e Madhe dhe Franca. Me investimet e fundit edhe në këtë drejtim janë rritur masat e sigurisë dhe mjetet teknologjike për përpunimin e dokumentacionit dhe për marrjen e gjurmëve daktiloskopike të të gjithë personave të deportuar.
Nga investimi i thelluar dhe teknologjia e avancuar është bërë e mundur që edhe gjatë përpunimit të dokumentacionit dhe intervistimit të deportivëve, të kapen rreth 10 persona në kërkim që kishin ndryshuar gjenealitetet, me qëllim shmangien e kontrollit kufitar.

Po gjatë këtij viti, në Rinas, janë goditur edhe 12 raste të mosdeklarimit të të hollave në kufi, kryesisht në hyrje por edhe në dalje, si dhe 6 raste të tentativës për të korruptuar punonjësit e Policisë, me qëllim kalimin e kufirit të atyre personave që kanë pasur probleme në hapësirën Schengen. Nga ana jonë janë marrë të gjitha masat për të shtuar kontrollet, për të menaxhuar fluksin gjatë gjithë këtij sezoni.”