41 aplikantë u shpallën fitues të bonusit të rijetësimit për mirëmbajtjen, restaurimin dhe rijetësimin e objekteve të tyre monument kulture ose pa status, por që ndodhen në qendra historike, ansamble urbane e zona arkeologjike.

Ministrja e Kulturës, Elva Margariti u shpreh se, nisma u vjen në ndihmë pronarëve ose përdoruesve të ligjshëm të objekteve-monument kulture apo brenda qendrave historike dhe zonave arkeologjike.

“Për herë të parë Ministria e Kulturës ndërmori nismën kombëtare “Bonusi i rijetësimit”, për t’u ardhur në ndihmë pronarëve ose përdoruesve të ligjshëm të objekteve-monument kulture apo brenda qendrave historike dhe zonave arkeologjike, që duan t’i mirëmbajnë apo rijetësojnë. Mes aplikantëve, 41 syresh përfitojnë 1-5 milionë lekë!”, theksoi Margariti në një postim në rrjetet sociale.

Bonusi i Rijetësimit u shërben të gjithë atyre që duan të zhvillojnë pronën e tyre në qendrat historike të qyteteve.

Ai përfshin dy instrumente mbështetjeje: një për restaurimin dhe konsolidimin e guaskës së shtëpisë, mureve, dritareve, dyerve, fasadës apo çatisë, ku jepet 10 mijë dollarë mbështetje, dhe instrumenti i dytë, për të gjithë ata që do të duhet të futen në një plan transformimi dhe vënie në funksion ekonomik të shtëpisë, deri në 50 mijë dollarë.

Me anë të këtij programi vjen për herë të parë një mbështetje për të gjithë banorët në qytetet dhe ansamblet historike, të cilët kanë nevojë të restaurojnë shtëpinë e tyre dhe shteti do t’u gjendet pranë me një skemë granti.