Ish-kryeministri Sali Berisha dhe njëherësh kryetar i PD, është shprehur sot se partia që ai drejton do të futet në koalicion për zgjedhjet lokale të vitit 2023. Ama, ai theksoi para gazetarëve se për pjesën që do t’i takojë PD ata do t’i zgjedhin kandidatët me primare.
“Koalicion unë vlerësoj se do të ketë. Koalicioni do përcaktojë rregullat e tij, por çfarë do jetë në këtë koalicion për Partinë Demokratike, aksionet e PD, ato të gjitha do të zgjidhen me primare. Ne nuk heqim dorë kurrsesi.
Ne konsiderojmë primaret si risinë e dytë më të madhe pas vendosjes së pluralizmit politik në Shqipëri. Vendosja e pluralitetit brenda partive është fundi i kryetarokracisë, forma më e vërtetë e demokracisë brenda një partie. Për ato që jemi zotuar, ne qëndrojmë plotësisht”, u shpreh Berisha për gazetarët.
Më tej, kryetari i PD ju përgjigj pyetjes dhe për deputetët të cilët janë sot në Kuvend, por mund të duan apo ftohen të lënë mandatin për të garuar për kryebashkiak. Sipas Sali Berishës, rruga që duhet të ndjekin ata janë vetëm primaret.
Cilido që është deputet i Partisë Demokratike dhe dëshiron të kandidojë është i mirëpritur, i nënshtrohet primareve. Kryetari i PD-së dhe Kryesia “de facto” nuk kanë më asnjë pushtet mbi kandidaturat që plotësojnë kriteret: Kriteri i parë i dekriminalizimit, ligji i dekriminalizimit dhe kriteret e tjera të rreshtuara. Ata që plotësojnë kriteret do të jenë të mirëpritur në këtë garë, vijoi ai.
Comments are closed.