Banorët e fshatit Bleran të njësisë Rrethina në Shkodër kanë zhvilluar një protestë ditën e sotme, ku kundërshtojnë nje rrugë që ka nisur të rikonstruktohet nga bashkia përgjatë kodrave të Rrencit.
Banorët dhe prifti i zonës kanë dyshimin se kjo rrugë po bëhet nga Bashkia Shkodër për të bërë të mundur depozitimin e mbetjeve në zonën e ish-repartit të zbulimit.
Banorët theksojnë se nuk do të lejojnë depozitimin e mbetjeve të qytetit të Shkodrës në afërsi të fshatit të tyre nëse rruga rikonstruktohet me një qëllim të tillë.
Dyshimi ka lindur për shkak se kjo është një rrugë që nuk i shërben fshatit Bleran dhe banorët kanë kërkuar vazhdimisht të rikonstruktohet aksi i poshtëm nga varrezat e Dëshmorëve deri në fshat.
“Nëse kjo rrugë është për kalimin e mbeturinave këtu nuk kalon kush, na tregoni pse jeni duke e bërë këtë punë dhe ne do të qetësohemi”, theksoi dom Raffaele Galiardi.
Banorët dhe prifti i zonës dom Raffaele Galiardi kerkojnë që Bashkia Shkodër t’i japë një përgjigje ndërsa bëjnë të ditur se nëse qëllimi është hedhja e mbeturinave nuk do ta lejojnë një gjë të tillë. Banorët ndalën punën e fadromave për sheshimin e rrugës duke protestuar.
Kujtojmë se bashkia Shkodër nisur nga mosëmarrëveshjet që ka pasur me landfillin e Bushatit në lidhje me çmimin, ka rreth 1 javë që gjendet pa një vend për depozitimin e mbetjeve kjo i ka shtyrë banorët e fshatit të ngrenë dyshimin se rikonstruktimi i një rrugë të papërdorshme të bëhet për një qëllim të tillë.
Comments are closed.