Me 28 shkurt 2017, Komuniteti Mysliman i Shqipërisë organizoi një konferencë shkencore me rastin e 25 vjetorit të gazetës “Drita Islame”. Pa dyshim, një ndër personazhet më të spikatura dhe elitare të këtij 25 vjetori ishte kryeredaktori i parë i saj, eruditi dhe studiuesi skrupuloz, Ismail Muçej.
Sot, në moshën 96 vjeçare, ai kaloi nga kjo botë drejt mëshirës së Allahut, pas një jete të gjatë të mbushur me ngjarje e stacione, episode e personazhe, sa për të mbushur një vepër vëllimore, sa vëllimet e dorëshkrimet e stilit të zotni Smajlit, rahmet pastë.
Zotninë e tij e kam njohur që nga koha e fillimit të aktivitetit të Myftinisë Shkodër, ato ditë kir selia e Komunitetit Mysliman të Shqipërisë ishte në Shkodër e, kur Hafiz Sabri Koçi ishte më afër nesh e kur Hirësia e Tij shprehej edhe pa folur me imazhin e tij tërheqës, çallmën e bardhë e xhyben e zezë, parfumin e mirë e mjekrën e bardhë, nurin e Hoxhës që i bënte për vete njerëzit vetëm me pamjen e jashtme, pa përmendur kur merrte të fliste e të ndizte zemrat me ligjërimet e tij të mrekullueshme, elokuencën, stilin, përmbajtjen e mesazhet që përcillte nga java në javë, nga takimi në takim
E, në këtë atmosferë të bekuar, që na tërhiqte me sirret e sinqeritetit të zemrave drejt Komunitetit tonë, zotni Smajli, ishte ndër personazhet që binte në sy, me karakteristikat e personalitetit të tij, me përkushtimin e drejtimit të gazetës “Drita Islame”, që mezi prisnim të dilte, me vitet e burgut mbi supe, me zhgënjimet e rinisës së goditur pabesisht, me durimin e sabërlive të periudhave të shkuara të historisë së pasur islame, me zellin e dëshirën për një rizgjim të ri, që sapo kishte nisur t’i agonte dielli e, për të cilin kontribuuoi e dha, aq sa veç Zoti Një e di e, për të cilin lutemi e shpresojmë ta shpërblejë me mirësitë e mëshirën e Tij të pakufijshme.
Sonte, kur mora lajmin e ndarjes së tij nga kjo botë, u luta për shpirtin e tij dhe në heshtje e falënderova për gjurmët e kontributet e mëdha; të dukshmet dhe ato që akoma nuk e kanë parë dritën e diellit
Pastaj, mu kujtua një prej takimeve të shumta. Ishte verë e vitit 1994 Gazeta “Drita Islame”, sapo kishte botuar një artikull, rreth të cilit kisha disa mendime, që gjykoja (akoma vazhdoj ta mendoj ashtu), se ai artikull nuk kishte vend në gazetën tonë.
Gjithësesi, ishin vitet e fillimit dhe, natyrshëm, stafi i gazetës mund të kishte gjykuar se politika e tolerancës ndaj artikullshkruesve duhet të dominonte, për shkak edhe të kushteve të kohës, mungesës së kuadrit e, për pasojë, edhe të cilësisë së ndonjë shkrimi. Pavarësisht se, ato vite, gazeta e jonë ofronte artikuj të goditur e analiza të thella, që ’para i lexojmë më sot Kushedi se pse.
Kur e diskutuam me zotni Smajlin, duke buzëqeshur, teksa mori të më tregonte se kishte qenë në një udhëtim, ma ktheu Kur nuk asht i zoti i shtëpisë në shtëpi, minjtë hedhin valle .
Rahmet pastë shpirti i tij dhe drita e simbolikës që rrezaton emri i tij, u bëftë shkak që disa vepra me emrin e tij të dalin në pah dhe, një studim (profesional) monografik rreth personalitetit, gjurmëve, dorëshkrimeve, studimeve e shkrimeve të botuara dhe kontributeve të tij, të dalë në pah, si një pasuri për të sotmen dhe të ardhmen e historisë sonë dhe personaliteteve të shquara që jetuan duke bërë Dritë
Dhe, për një moment kthej kokën pas, për të gjetur një listë të heshtur që peshon më shumë se vite të humbura e njerëz pa gjurmë, por edhe më shumë se shfaqje pa përmbajtje e realitete pa dritë Është lista e disa prej gjurmëve të eruditit dhe poliglotit Ismail Muçej
Fjalori Arabisht Shqip , me 45.000 fjalë dhe 20.000 shprehje prej 2.000 faqesh.
“Fjalori Shqip-Arabisht” me 25.000 fjalë dhe 30.000 shprehje prej 1300 faqesh.
Metodë e mësimit të gjuhës arabe , e përkthyer në shqip. Autorësi e Gaspary Otto Sauer, orientalist i shquar gjerman.
Comments are closed.