Ndarja nga jeta e presidentit të Fax News Kasem Hysenbelliu ka sjellë një lumë reagimesh në rrjetet sociale, për njeriun e mirë dhe për bashkëpunëtorin e dhjetra gazetarëve dhe njerëzve të medias. Gazetari Lutfi Dervishi shprehet se nën drejtimin e Kasem Hysenbelliut, Fax News arriti të drejtonte kameran aty ku të tjerët nuk guxonin.

Fax news hyri në tregun mediatik të tejmbushur me lajme 24 orë, me shumë pak mundësi dhe ndoshta fare pa mbështetje. Hyri ne treg sepse Kasem Hysenbelliu e drejtoi kameran aty ku të tjerët nuk guxonin! Për muaj të tërë Fax News ishte i vetmi ekran që u bë zëri atyre që kudo i gjetën portat e mbyllura! Humbje e madhe për familjen, miqtë dhe ata që patën fatin të punonin me të , shkruan Dervishi në postimin e tij në rrjetet sociale.

Presidenti i Fax News u nda nga jeta mëngjesin e sotëm në Turqi, ku ishte duke u kuruar prej disa javësh, e ku nuk mundi që të fitonte dot betejën me Covid, pavarësisht përpjekjeve të mjekve dhe lutjeve të familjarëve, miqve dhe të gjithëve atyre që e kanë njohur.

Kjo është një ditë e dhimbshme për Fax News dhe Faxweb, teksa i gjithë stafi i televizionit dhe webit që ai themeloi i shprehin ngushëllimet familjes së presidentit Hysenbelliu.

Hysenbelliu themeloi dhe administroi TV Fax News që nga Tetori 2017 ndërsa sot është dhe 4 vjetori i krijimit të Faxweb.al, që daton në treg që nga data 5 Dhjetor të 2016 tës.

Zoti Hysenbelliu themeloi të parin TV të pavarur në vend, teksa Fax News u shndërrua në zërin e njerëzve të thjeshtë, duke mbrojtur disa nga kauzat qytetare, me transmetimin maratonë të protestës së Astirit, dhe kauzës së Teatrit Kombëtar.

Presidenti i Fax News që prej fillimit të pandemisë ka qenë një nga njerëzit më të kujdesshëm sa i takon masave parandaluese të përhapjes së Covid por duket se ky virus na tregoi edhe njëherë tjetër se nuk kursen askënd

Me humorin, batutat, me dorën e shtrirë ndaj çdo punonjësi, presidenti i Fax News kishte arritur të ndërtonte një marrëdhënie të jashtëzakonshme me të gjithë bashkëpunëtorët e tij, ku vendin e parë e zinte liria dhe pavarësia e kujtdo për të thënë mendimin dhe qendrimin e tij

Të gjendur të pafjalë nga kjo humbje e jashtëzakonshme, Fax News dhe Faxweb.al do të vazhdojnë misionin e lënë përgjysmë nga presidenti, për tiu gjendur çdo qytetari, çdo kauze, e për të qenë një pasuri në dorën e çdo shikuesi dhe lexuesi të medias sonë.