Shqetësuese paraqitet situata e krijuar nga përhapja e pandemisë COVID në qarkun Shkodër. Në 24 orët e fundit ka patur një rritje të ndjeshme të numrit të të prekurve ditorë nga koronavirusi ku janë konfirmuar 48 raste të reja.

Vatrat e infeksionit janë zgjeruar në bashkinë Shkodër me 36 raste, në bashkinë Pukë janë konfirmuar tetë raste të reja ndërsa në bashkinë Malësi e Madhe janë konfirmuar katër raste. Ndërkohë fatkeqësisht një qytetar nga Shkodra ka humbur jeten si shkak i infektimit me virus.

Aktualisht të infektuar me koronavirus janë 903 qytetarë në qarkun e Shkodrës. Nga të dhënat e bëra publike nga Institucioni i Prefektit në qarkun Shkodër, priten  të dalin përgjigjet e 61 tamponëve të marrë gjatë ditëve në vijim.

Ndërkohë specialistët e shëndetësisë apelojnë qytetarët të cilët paraqesin simptoma të infektimit me koronavirus të vetëizolohen deri në marrjen e përgjigjes së tamponit nga Instituti i Shëndetetit Publik. Pavarësisht thirrjeve të shumta për rritjen e nivelit të ndërgjegjësimit të qytetarëve, sërish situata paraqitet problematike.

Të shumtë janë personat të cilët lëvizin në rrugë pa mbajtur maskën, e cila tashmë është bërë e detyrueshme ndërkohë që distanca nuk ruhet qoftë në ambjente të hapura apo të mbyllur.