Ministrja e Arsimit Evis Kushi, përmes një deklarate për media ka njoftuar protokollin e ri të mësimit online që pritet të vihet në zbatim që prej datës 1 dhjetor. Sipas ministres klasa e parë dhe e 12 janë ato të cilat do të vijojnë mësimin fizik në klasa, pavarësisht çfarëdo lloj skenari.

Ndërkohë pjesa tjetër nga klasa e parë në të pestë do të zhvilloj mësim fizik fillimisht, por skenari i dytë mund t’i çojë në një mësim të alternuar online dhe në klasa. Shkollat do të duhet të raportojnë pas çdo jave situatën e Covidit tek zyrat arsimore, çka do të përcaktojë dhe skenarin e javës pasardhëse.

Ndërsa klasat nga e 6 në të 9 si dhe klasat 10 dhe 11 do të zhvillojnë mësimin në këtë mënyrë

Në javën tek, pra javën e parë dhe të tretë të muajit 2 ditët e para të javës në mjediset e shkollës, dhe 3 ditët e tjera të javës online.

Në javën çift, pra në javën e dytë dhe të katërt, ditët këmbehen pra 2 ditët e para të javës nxënësit janë online dhe 3 ditët e tjera të javës me prezencë fizike në shkollë.

Në varësi të situatës së krijuar nga pandemia COVID 19 në rast se shkollat kanë situata të rënduara në stafet mësimore apo tek nxënësit, me urdhër të MASR, mund të aplikohet skenari kur vetëm klasat fillore nga 1 tek e 5 dhe maturantët zhvillojnë mësimin në klasë. Ndërsa klasat e tjera bëhen online.

Fillimisht uroj të jeni të gjithë mirë me shëndet dhe përcjell lutjen time për sa më shumë kujdes gjatë kësaj periudhe të pazakontë të pandemisë që ka mbërthyer të gjithë globin.

Pas rekomandimit të djeshëm të Komitetit të Ekspertëve për zhvillimin e mësimit të kombinuar në sistemin e arsimit parauniversitar, jam sot këtu për ’ju informuar rreth disa vendimeve të rëndësishme që kemi marrë në Ministrinë e Arsimit, Sportit dhe Rinisë MASR në lidhje me vijueshmërinë e procesit mësimor në shkollat tona.

Para se të ndalem tek vendimet, dua të shpreh një falënderim shumë të përzemërt për të gjithë mësuesit dhe stafet tona në të gjitha institucionet arsimore, për punën dhe përkushtimin e tyre të jashtëzakonshëm që kanë treguar në këta muaj të parë të këtij viti shkollor.

Mirënjohje pa fund për të gjithë ju Si gjithmonë, në çdo rrethanë dini të tregoni se jeni një hallkë shumë e rëndësishme dhe e shëndetshme e shoqërisë, duke reflektuar vlerat më të larta njerëzore dhe profesionale.

Ndërkohë, gjej rastin sërish që për mësuesit tanë, nxënësit dhe prindërit e tyre të prekur nga virusi i pabesë, të ndaj urimin e sinqertë për shërim sa më të shpejtë dhe rikthim sa më parë në jetën normale.