Mund ta quajmë sistemin që dominon sot si globalizim, apo edhe si neoliberalizëm, ose mund të shkojmë më larg, varësi nga ekonomia e tregjeve. Në të trija rastet, boshti është pasioni për paratë.
Petros Markar?s/Ndoshta për t’iu qasur më mirë temës, mund të jetë e dobishme të bëjmë një hap prapa, sigurisht jo me një analizë të sistemeve financiare të kredisë, por duke nisur nga një vepër teatrale shumë e suksesshme: “Opera për tre grosh” e Bertolt Brecht. Në punimin e Brecht, në një moment banditi Macheath ngre një pyetje E çështë vallë grabitja e një banke në krahasim me themelimin e një banke
Opera për tre grosh u shkrua në vitin 1928. Vetëm një vit më vonë, në 1929, ndodhi rënia e Wall Street që shkaktoi krizën ekonomike botërore. Në bazamentin e kësaj shembjeje qëndronin bankat dhe sistemi financiar.
Por qeveritë morën një mësim nga kriza e vitit 1929. Kur në vitin 2008 shpërtheu kriza e re financiare u shqetësuan që me bujari të mbështesnin bankat për ti shmangur falimentimin. Ama në të njëjtën kohë, ata vendosën shkurtime pagash dhe masa të ashpra shtrënguese për qytetarët. Ishin qytetarët ata që paguan çmimin për mbështetjen e bankave me taksa dhe shkurtime. Dhe këtu hyn në lojë heroi i dytë i Opera për tre grosh, Jonathan Jeremiah Peachum, pronar i kompanisë Miku i lypësve.
Ashtu si Peachum shfrytëzon paturpësisht lypësit me justifikimin se po i mbështeste ata, kështu qeveritë ulën në gjunjë qytetarët për të konsoliduar sistemet bankare me pretekstin e tejkalimit të krizës. Kjo situatë bën që pyetjen e Macheath-it në veprën teatrale ta shtrojmë me pak ndryshim: Çështë vallë grabitja e qytetarëve përpara shpëtimit të një banke
Përgjigja ndaj kësaj pyetje qëndron në dominimin absolut të sistemit financiar mbi gjithë botën dhe, në të njëjtën kohë, në rënien e pandalshme të shtresave të mesme, rënie që vazhdon edhe sot. Në një tjetër punë të Brecht, “Shën Joani i thertoreve”, tabloja plotësohet. Brecht shkroi këtë menjëherë pas veprës “Opera për tre grosh”, në dy-vjeçarin 1929-1931. Në një farë pike, Pierpont Mauler, mbreti i thertoreve, bërtet: “Unë dua paratë e mia dhe një ndërgjegje të pastër!”. Kjo britmë e Mauler sot është zhvilluar duke u bërë thirrja që, në përbashkim, e bëjnë financierët dhe politikanët. Dhe kjo është gjithashtu thirrja që lidh të ardhurat e krimit të organizuar me sistemin financiar përmes pastrimit të parave.
Kërkimet e fundit nga Konsorciumi Ndërkombëtar i Gazetarëve Investigativ pretendojnë se dhjetë bankat më të mëdha në botë janë të përfshira në pastrimin e parave. Paratë pastrohen dhe futen përsëri në rrjedhën e ligjshme ekonomike si një investim. Fabula e bukur që shpesh dëgjojmë për investimet përmban gjithashtu këtë dimension. Paratë janë të ricikluara, pra të pastra, dhe për këtë arsye ndërgjegjja është gjithashtu e qetë. Thirrja e Pierpont Mauler është shndërruar në dogmë.
Dhe kështu vijmë në variantin e tretë të pyetjes së Macheath banditit
Çështë vallë pastrimi i parave përballë investimit të parave. Një politikan grek kishte thënë, në dekadën e viteve ’60 të shekullit të shkuar: “Numrat lulëzojnë, njerëzit luftojnë . Nuk e dinte në atë kohë se kjo thënie e tij do të ishte profetike edhe gjashtëdhjetë vite më vonë.
Fiksimi i qeverive përsa i përket shkurtimeve dhe masave shtrënguese krijoi më pas idenë fikse të reformave. Shekuj më parë, Reforma ishte një ngjarje fetare, e kryer nga kleri. Sot, reformat janë ekonomike dhe hartohen nga ata që i kalojnë ditët e tyre të mbyllur në zyra: nga Bashkimi Europian në Bruksel, nga Banka Qendrore në Frankfurt, nga FMN, nga ministritë e gjithë vendeve.
Nuk dua të keqkuptohem. Nuk jam aspak në kundërshtim me idenë se, për shembull, Greqia të kalojë një seri të gjatë reformash për t’u bërë shtet modern. Sidoqoftë, unë nuk pajtohem me përhapjen e iluzionit se “kur numrat janë të kënaqshëm, njerëzit gjithashtu jetojnë më mirë”.
Sigurisht, treguesit ekonomikë lulëzojnë, së bashku, ndoshta, me sipërmarrjen, por ndikimi pozitiv i gjithë kësaj në jetën e njerëzve nuk është aspak i dukshëm. Edhe në vendet me indekse jashtëzakonisht pozitive, hendeku midis të pasurve dhe të varfërve vazhdon të zgjerohet.
Jean Monnet ka thënë, pak para se të viste se, nëse do të mundte do ta niste edhe një herë procesin e bashkimit të Europës, do t’ia kishte nisur nga politika dhe nga kultura, jo nga tregjet. E kishte kuptuar, por ishte mjaft vonë.
E megjithëatë, për shumë shekuj, unaza që ka mbajtur të bashkuara vendet nuk ka qenë paraja, por kultura europiane. Madje edhe kombet që ishin në luftë mes tyre nuk e vinin në diskutim kulturën e përbashkët europiane. Sot flasim me shumë krenari për atë trashëgimi kulturore.
Sidoqoftë, na shpëton fakti se trashëgimia vjen gjithmonë pasi dikush vdes. Para vdekjes nuk mund të ketë trashëgimi. Dhe pastaj lind pyetja: A mos ndoshta paratë e kanë vrarë kulturën dhe qenka kjo arsyeja pse kemi të bëjmë me trashëgiminë e saj
Një mik më shpjegoi një herë ndryshimin midis shekullit XVIII dhe kohës sonë. Në shekullin XVIII ëndrra e aristokratit të pasur ishte të blinte një teatër ku viheshin në skenë opera së bashku me orkestrën simfonike, më tha ai. Sot, ëndrra e oligarkut të pasur është të blejë një ekip futbolli. Një ndryshim mjaft thelbësor.
Petros Márkaris është shkrimtar, dramaturg dhe skenarist armeno-grek, i njohur për romanet e tij policeske me personazhin kryesor Kostas Charitos. Ky artikull u përkthye në shqip nga Erjon Uka.
Comments are closed.