Një ndër aktoret më të njohura dhe të dashura për publikun shqiptar , Pavlina Mani, ka ardhur tek lexuesit përmes monografisë “Pavlina…” shkruar nga Anila Dushi.

Lidhur me këtë botim të ri që i kushtohet një artisteje të përmasave të mëdha siç është Pavlina Mani, indicjet, vështirësitë, strukturën, impaktin e sidomos mesazhet që përçon kemi intervistuar autoren Anila Dushi.

Intervista
1- Me nje karrierë të gjatë në gazetari, veçanarisht në mediat e shkruara,vendosët të shkruanit një libër.Cili ishte motivi që ju shtyu dhe pse një monografi ?

Anila Dushi :Vjen një moment kur e ndjen se duhet të bësh diçka ndryshe qoftë dhe duke sfiduar veten.Pas mbi 20 vitesh në mediat e shkruara , mendova se kishte ardhur koha për këtë.Zgjodha monografinë pasi është më afër gazetarisë dhe janë të shumta monografitë e shkruara nga gazetarë.
2-Sa e vështirë është të shkruash një monografi dhe pse zgjodhët Pavlina Manin?

Anila Dushi :Të shkruash një monografi është padyshim një sipërmarrje e vështirë pasi kërkon formimin e duhur, njohuri,hulumtime,intervista dhe më pas sistemimi i materialit të grumbulluar në bazë të strukrurës e cila është e para por që gjatë rrugës mund të pësojë ndryshime pa prekur thelbin. Zgjodha Pavlina Manin së pari për arsye personale, pasi ka qenë gjithmonë aktorja ime e preferuar dhe së dyti për faktin se ajo është një ndër aktoret më të dashura për shqiptarët në breza dhe si shumë aktorë të tjerë është lënë disi në harresë, dhe në rastin e Pavlinës ka ndikuar dhe fakti se ka 20 vite që ajo i mungon skenës shqiptare pasi jeton familjarisht në SHBA.
3-Jeni e kënaqur me zgjedhjen e bërë, keni ndonjë peng ?

Anila Dushi :Plotësisht e kënaqur dhe e bindur se kam bërë zgjedhjen e duhur nisur nga zëri i arsyes por dhe ndjenjës , pasi siç e theksoja ka qenë aktorja ime idhull.
Nuk kam asnjë peng pasi mendoj se ia kam arritur qëllimit. Ndjej pak keqardhje që nuk janë pjesë e librit disa figura të tjera të artit shqiptar të cilat i kisha planifikuar të jenë por që për arsye të ndryshme nuk qe e mundur të përfshiheshin.Megjithatë libri ka të përfshirë 38 artistë të njohur nga të gjithë shqiptarët si dhe dy studiues të njohur edhe këta nga të gjithë.

4- Titulli i thjeshtë :”PAVLINA …”,
kopertina mjaft domëthënëse. Çfarë keni dashur të thoni me to ?

Anila Dushi :Në monografi titujt lidhen kryesisht me emrin e personit për të cilin shkruhet.Ndërsa tre pikat pas, përputhen me kuptimin e tyre në gjuhën shqipe të shkruar, tregojnë vazhdimësinë e asaj që nuk është thënë pasi nisur dhe nga rrëfimet e të tjerëve,për Pavlina Manin dhe atë që ajo ka bërë në skenën e ekranin shqiptar në 30 vitet e të qenurit aktive, mund të shkruhet pafundësisht.
Ndonëse jam përpjekur maksimalisht të them gjithçka për Pavlinën, jam e bindur se për një artiste të tillë ka përsëri shumë e shumë për të thënë.
Kopertina ka pranë fotos së Pavlinës godinën e Teatrit Kombëtar që tashmë nuk është më,dhe duhet të theksoj se kopertina ka qenë e realizuar grafikisht para se teatri të shembej.Kjo pasi Pavlina Mani në këtë teatër ka gjithë karrierën e saj si aktore profesioniste, plot 30 vite dhe që në fillim isha e bindur se teatri do të ishte në kapertinë. Prishja e tij pak para se libri të dilte nga shtypshkronja,pasi pati vonesa për shkak të pandemisë, bëri që mesazhi të jetë më i gjërë dhe impakti më madh.Jo pa qëllim në kopertinë sipër është hëna e shoqëruar dhe me yje, që ndriçon natën në qiellin e teatrit shqiptar pasi si teatri ashtu dhe Pavlina ndriçojnë në artin shqiptar. E thënë me fjalët e mia :Interpretimet e Pavlina Manit janë yllësi e përjertshme, figura e saj si artiste, e jo vetëm, është shëmbëlltyrë e së mrekullueshmes.
5-Struktura e librit mendoni se e ka dhënë të plotë figurën e artistes së madhe, ia keni arritur ta bëni këtë?

Anila Dushi :Mendoj se po.Libri është i ndarë në tre pjesë, e para të dhënat biografike por dhe fillimet e angazhimeve të Pavlinës në art, formimin e saj si artiste në Liceun Artistik dhe në ILA, angazhimet e saj të para deri në vitin 1970 kur përfundon studimet e larta për aktrim.
Në pjesën e dytë është përfshirë i detajuar aktiviteti artistik i Pavlinës në teatër,kinematografi, moderarore në TVSH , analiza e asaj që ajo arriti me punën e saj,të veçantën që arriti të krijojë gërshtuar dhe me elementët e mjeshtrisë së aktorit të domosdoshme për një analizë të tillë.E gjitha kjo vjen në libër përmes asaj që kanë thënë artistët e përfshirë në të,aktorë, regjisorë që kanë punuar me Pavlinën dhe studiues të ndryshëm,shto këtu dhe referensat e nxjerra nga hulumtimi i shtypit të kohës, gazeta apo revista .
6-Libri është vetëm për Pavlina Manin apo ka një këndvështrim më të gjërë, kujt lexues i drejtohet ?

Anila Dushi :Duke shkruar për Pavlina Manin unë kam shkruar për të gjithë atë brez të artë artistësh shqiptarë që kanë dhënë aq shumë skenës dhe ekranit,që pavarësisht kufizimeve ideologjike dhe presionit gjatë punës, kanë bërë art të vërtetë.Është periudha ku arti shqiptar ,e veçanarisht teatri, pasi kësaj fushe i përket Pavlina dhe kolegët e saj, ishin në majë.Bëhej art prefesionist,mjaft cilësor duke u ngulitur në mendjen e shqiptarëve që i duartrokistin,përgëzonin apo i adhuronin e vlerësonin për atë që bënin dhe pse ndoshta nuk shihnin ndonjëherë në skenë.Kjo pasi arti është gjithëpërfshirës dhe ndikon edhe kur shihet përmes medias vizive.Ka qenë koha kur në teatër punohej shumë,kishte seriozitet.Libri është pasqyrë e kohës kur kishte art të vërtetë dhe artistët nuk mbaheshin me hatër.Është pasqyrë e një periudhe kur në karriget e teatrit nuk uleshin vetëm sprektatorët që shijonin shfaqjen.Mes tyre kishte dhe mjaft sy kritikësh shumë të vëmendëshëm,që dhe një presje ta thoje më tepër ,apo një germë ta artikuloje gabim ose jo siç duhej,peshonte rëndë dhe përcaktonte për mirë ose për keq të ardhmen e artistike të aktorit.Ishte kohë e artë për teatrin shqiptar,që sot fatkeqësisht është shumë larg asaj të krijuar në vitet 1970-2000.Kjo pasi përpos të tjerave, sidomos pas vitit 2000 thuajse mungon krejtësisht drama shqipe, drama kombëtare.
7- Bibliografia e pasur, fotot, cilësia e botimit, tregojnë për një punë jo të paktë nga ana juaj .Si jeni ndjerë gjatë shkrimit të librit?

Anila Dushi :Ka qenë një periudhë e ngarkuar por mjaft e bukur.Në çdo paragraf që hidhja, në çdo zbardhje bisedash me artistët, në çdo hulumtim në funksion të librit ,përfshirë dhe fotot ,isha e motivuar, e përfshirë tërësisht dhe mjaft e kënaqur emocionalisht.Komunikimet me Pavlinën përmes telefonit,më jepnin një kënaqësi e indicje të papërshkrueshme pasi plotësonin figurën e saj si artiste dhe jo vetëm.

Duke komunikuar me të dhe njohur dhe si njeri, ato vlerësime dhe gjykime që kisha dëgjuar më parë më rezultuan shumë të vërteta pasi Pavlina Mani është e suksesshme në art , por dhe një njeri i mrekullueshëm në jetë,kjo e pohuar nga ata që e kanë njohur nga afër dhe e përfshirë në pjesën e tretë të librit.Pavlina Mani,sa është madhështore në art,aq është tokësore në thjeshtësi, me një modesti që e takon shumë rrallë,sidomos tek artistët.

8- Cili ka qenë reagimi i deritanishëm i lexuesve, dhe ku jeni mbështetur ju në gjatë punës?

Anila Dushi :Reagimi ka qenë mjaft pozitiv sidomos nga artistlët që janë pjesë e tij.Gjatë punës për librin jam mbështetur tek materiali grumbulluar prej meje por nuk ka qenë e lehtë.Sfida me veten time lidhej me atë nëse do mund të arrija që mendimet e artistëve për Pavlinën të përcilleshin me korrektësi dhe pa interpretime nga autorja, pra nga unë.Nuk ka qenë e lehtë për mua, pasi me duhej të isha e saktë dhe krejtësisht e ftohtë në shkrimin e asaj që është thënë për Pavlinën , duke evituar simpatinë personale dhe duke u mbështetur tek ato që kanë thënë tjerët .Kjo në fakt më mbushte, pasi rrëfimet e artistëve i kanë tejkaluar pritshmëritë e mia,duke iu përshtatur mrekullisht objektivit tim me këtë libër dhe në një farë mënyre duke ma kanë lehtësuar punën.

9-A mendoni se libra të tillë i shërbejnë shoqërisë shqiptare për të dhënë mesazhe?

Anila Dushi :Shoqëria shqiptare sot më shumë se kurrë ka nevojë për kujtesën e vlerave të krijuara ,sidomos në art, të vlerave që përçojnë mesazhe në çdo kohë. Institucionet e shtetit , fatkeqësisht bëjnë shumë pak ose aspak për promovimin e këtyre vlerave, të këtyre artistëve që kanë arirur gjithçka me punën e talentin e tyre.Ata nuk kanë përfituar materialisht , madje dhe në vitet e demokracisë dhënia e pensioneve të veçanta ka qenë më së shumti selektive sipas oreksit të politikës, përjashto raste të veçanta për figura madhore të artit që janë impunuar me atë që kanë bërë.Por këta artistë kanë marrë përfitimin më të madh që njeriu synon në jetë, ngulitjen në kujtesën e njerëzve pa dallim moshe, prejardhjeje,gjinie apo kohës kur kanë jetuar.Ajo për të cilën sot ka nevojë shoqëria shqiptare, brezat e rinj është mbajtja gjallë , dhe referimi i këtyre vlerave duke i kujtuar e promovuar ato vazhdimisht.
Libri përcjell mesazhin se të jesh grua në Shqipëri nuk është fatkeqësi por është fat.
Pavlinë është çdo grua që në shoqërinë patriarkale shqiptare ja ka dalë të jetë triumfuese, të dalë mbi maskilizmin sidomos kur merresh me art.Talenti por më shumë puna , serioziteti dhe disiplina , të japin suksesin.Sado i talentuar të jesh , pa një punë të jashtëzakonshme taleni humbet.Talenti është 100% i varur nga puna që bën, nga serioziteti e korrektësia , pra disiplina në punë.Të gjithë ato që kanë folur për Pavlinën e kanë theksuar këtë veti të dukshe të saj, të qenurit shumë punëtore në profesion.

10-Çfarë keni përfituar profesionalisht nga ky libër ? Do shkruani të tjerë ?

Anila Dushi :Profesionalisht kam përfituar mjaft pasi gjatë punës kam bërë mjaft rishikime, redaktime,këto në bashkëpunim dhe me redaktorin e librit ,pendën e nderuar të letrave shqipe Xhahid Bushati, riformulime dhe punë me frazën.Ka qenë një përvojë e vyer që do më shërbejë dhe për të ardhmen.
Idetë për figura të tjera nuk mungojnë por gjithçka varet nga shkaqe që nuk lidhen me mua, pasi të botosh një libër është më e vështirë se ta shkruash atë,kjo për shkak të kostos së lartë të botimit dhe politikave jo favorizuese lidhur me librin.

11-Cili është impakti që ky libër ka shkaktuar të ju,qoftë ky dhe personal?

Anila Dushi :Në jetën time profesionale, në dy profesionet që unë nuk i kam ndarë asnjëherë,atë të mësueses dhe gazetares, kam patur kënaqësi jo të pakta që më kanë motivuar. Ndoshta kompensim i mungesës së këtyre kënaqësive në jetën personale. Por shkrimi i librit ia kalon të gjitha kënaqësive.Ndihem e mbushur dhe emocionuar që arrita të realizoj një ëndërr të hershme të ruajtur në syrtar, që tashmë është bosh.Këtë mundësi ma dha Pavlina dhe të gjithë ato që u bënë pjesë e librit.Fjala “FALEMINDERIT” për ta është e pakët.Komunikimi me Pavlinën , i cili vazhdon dhe tani pas përfundimit të librit,është një super kënaqësi që nuk e shpreh dot me fjalë pasi do ishin të pamjaftueshme.Marrëdhënie e krijuar me Pavlinën është gjëja më e mrekullueshme që më ka ndodhur profesionalisht dhe personalisht në 25 vitet e fundit.FALEMINDERIT PAVLINA !

Intervistoi Ergys Kavaja