Turqia ndalon udhëtimin me charter të pacientëve me COVID19 që shkojnë për kurim në spitalet turke. Një vendim i tillë është marrë nga Ministria e Shëndetësisë, teksa nuk jep një afat, por thotë që urdhrit mbete në fuqi deri kur të jepet një njoftim i dytë. Shkak është bërë ezaurimi i kapaciteteve spitalore në Turqi për shkak të numrit të lartë të pacientëve të shtruar në spitale.

“Sjellja e pacientëve pozitiv me COVID19 në vendin tonë me aeroplan privat është e ndaluar deri në një urdhër të dytë. Në rast mosrepsektimi të këtij urdhri do të vendosen sanksione përkatëse” thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shëndetësisë drejtuar Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil

Një vendim i tillë prek shumë edhe shqiptarët. Turqia ka qenë ‘destinacioni’ i shumë VIP-ave të cilët kanë rezultuar pozitiv me COVID. Referuar shifrave të dhëna nga gazetari shqiptar, Marjon Gorica rreth 50 shqiptarë të ardhur nga Shqipëria dhe Kosova janë të shtruar në spitalet e Turqisë. Kostoja e kurimit në këto spitale shkon në disa mijëra euro, që nis që nga avioni charter deri te kurimi ditor që përcaktohet nga gjendja shëndetësore e pacientit.