Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi jep dorëheqjen pas ngritjes së aktakuzave zyrtare nga Gjykata Speciale duke u shprehur se nuk do të shkojë para drejtësisë si President i Republikës së Kosovës.

“Më kanë konfirmuar zyrtarisht aktakuzën. Ju bëj thirrje të mos humbasim shpresën, durimin dhe besimin. Sot më shumë se kurrë të reflektojmë se sa shumë kemi përparuar si komb në këto 3 dekada. Fituam lirinë pavarësinë dhe po ngrejmë shtetin e së drejtës.

Akuza ndaj meje është çmim i vogël që kërkohet të paguajmë për lirinë e vendit tonë. Sot dhe mund të mos ishim si mijëra bashkëkombas tonë, që humbën jetën. Ndjehem me fat që jam gjallë dhe kam parë me sytë e mi ëndrrën shekullore që të bëhet realitet. Jam krenar që kam qenë pjesë e UÇK që së bashku me bashkësinë ndërkombëtare dhe aletatët tonë kemi luftuar kundër Millosheviçit dhe që bashku kemi fituar lirinë. Kemi qenë për pajtim ndëretnik, vetëm toleranca dhe bashkëjetesa janë ato që çojnë vendin tonë përpara, jemi popull liridashës jo hakmarrës.

Kosova ka qenë viktima, Serbia ka qenë agresori, ndaj kjo situatë e re është mundësi e re që të qëndrojmë të bashkuar. Suksesi ynë është Kosova jonë e lirë dhe që të jetë vend i gjithë qytetarëve të saj. Kosova është histori suksesi i institucioneve të rendit dhe bashkëpunimit më bashkësinë ndërkombëtare.

U bëj thirrje politikanëve të mos mblidhen e të mos protestojnë. Ju falënderoj për besimin që më keni dhënë. Kjo nuk është lamtumirë, por mirupafshim. Do të shihemi prapë, do të shihemi faqebardhë, zoti e bekoftë Kosovën dhe popullin e saj””, tha Presidenti Thaçi.

Dorëheqje nga politika sot ka dhënë edhe kreu i PDK’së, Kadri Veseli, pasi edhe atij i është ngritur aktakuza. Bashkë me Thacin e Veselin, deri tash dihet se u është konfirmuar aktakuza edhe deputetit Rexhep Selimi dhe ish-kryeparlamentarit Jakup Krasniqi.

Të gjitha të akuzuarit kanë qenë udhëheqës të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Akuzat e tyre kanë të bëjmë me krime lufte që Prokuroria Speciale pretendon se i kanë kryer.