‘Kyçet’ pas restaurimit Shtëpia muze e At Gjergj Fishtës (VIDEO)

U përurua më 23 tetor nga Kryeministri Edi Rama, por shtëpia muze e at Gjergj Fishtes ka mbetur e kyçur.

Report Tv intervistoi studiuesin e veprave të Fishtës, Frano Kullin, i cili shprehet se shtëpia e Fishtës duhet të shërbejë për pelegrinazh kulturor.

“Rikonstruksioni është i mirëpritur por ky lajm i mirë rrëzohet nëse nuk do të nisë së shpejti vendosja në eficencë dhe kthimi në destinacion kulturor. Ajo është shtëpi e zakonshme dhe nuk ka vlere arkitekturore, ajo ka vlere sepse është shtëpia ku ka jetuar Fishta. Në qoftë se kjo shtëpi nuk kthehet për pelegrinazh kulturor që realisht ne e kemi parë që ka interes për të. Nëse aty nuk ka një staf, një ciceron dhe një kujdestar (mirëmbajtës) kjo është e domosdoshme, përndryshe mbetemi tek pjesa jo e mirë e lajmit. Nëse nuk do të përfshihet në atë që duhet itenerari i Fishtës që fillon tek Kuvendi i Troshanit, Kisha e Dom Lleshit, etj. atëherë jemi ende në staniacion” u shpreh botuesi dhe studiuesi Frano Kulli.

Çelësat e shtëpisë së restauruar u janë dorëzuar familjarëve, por ende nuk është gjetur një zgjidhje për mënyrën e administrimit.

“Është detyrë e trashëgimtarëve të pronës, sepse ajo është pronë private, që ti japin vlera më tepër duke lejuar të vizitohet nga qytetarët. Duhet të ketë një mirëkuptim mes pronarëve dhe ministrisë sepse aty është shpenzuar për ta kthyer në identitet” tha Dedë Margjoni, specialist në Drejtorinë e Kulturës Kombëtare

Objekti, Monument kulture i Kategorisë së Parë në fshatin Fishtë të Lezhës u restaurua nga Ministria e Kulturës por ka mbetur peng i problemeve të vjetra të pronësisë.