Një çift bashkëshortësh nga Shkodra, të dënuar me nga 5 vite burg secili për mashtrim me pasoja të rënda, janë arrestuar dje nga Policia e Tiranës.
Zamir dhe Bukurije Kalej ishin në kërkim prej 5 vitesh, pas vendimit që kishte dhënë në mungesë Gjykata e Shkodrës. Ata ishin shpallur fajtorë për përvetësimin e 12 milionë lekëve të rinj dhe 60 mijë dollarëve, para që ua kishin marrë 3 personave e nuk ua kishin kthyer më.
Sipas vendimit të Gjykatës së Shkodrës, Zamir dhe Bukurije Kalej, i kanë marrë shtetasit Jakup H. shumën prej 12 milion lekësh të rinj në formën e huas, me premtimin se do t’ia kthenin brenda një periudhe 6 mujore. Ndryshe nga premtimi i dhënë, as pas 6 muajsh e as më vonë, shtetasi i dëmtuar nuk i ka marrë paratë, pasi çifti Kalej janë larguar jashtë shtetit.
Para këtij rasti, Zamir dhe Bukurije Kalej, kishin mashtruar edhe dy tregtarë të tjerë, të cilëve u kishin marrë një shumë prej 60 mijë dollarësh amerikanë. Në vendimin e Gjykatës sqarohet së më 11 dhjetor të vitit 2015, Jakup H. ka paraqitur kallëzim penal në Prokurori kundër bashkëshortëve Zamir Kalej dhe Bukurije Kalej, duke treguar se më 25 gusht të po atij viti u ka dhënë hua të kallëzuarve një shumë prej 12 milionë lekësh të rinj, bazuar në një kontratë noteriale.
Në kallëzimin e tij, ai ka shpjeguar se dy të pandehurit kishin vënë pasurinë e paluajtshme, nëpërmjet së cilës do të garantohej përmbushja e detyrimit ndaj tij. E kanë vendosur në Hipotekë për të garantuar përmbushjen e një detyrimi tjetër kundrejt një personi tjetër, në bazë të një kontrate të mëparshme huaje. Jakup H. ka deklaruar gjithashtu se nuk e ka marrë këtë shumë të dhënë hua, nga Zamir Kalej dhe Bukurije Kalej, duke iu shmangur përgjegjësisë për përmbushjen e detyrimit, si dhe duke u larguar jashtë shtetit.
Kjo shumë prej 12 milionë lekësh duhej të shlyhej për një afat maksimal prej 6 muajsh, duke filluar nga data e lidhjes së kontratës, duke shtuar se kjo shumë, sipas deklarimit, është fituar nga puna dhe biznesi privat i huadhënësit. Nga ana tjetër, në vendim thuhet se bashkëshortët Kalej i kanë marrë një shumë prej 60 mijë dollarësh amerikanë dy personave, Gjon L. dhe Sokol M. Për të dyja këto raste mashtrimi, burrë e grua, në muajin maj të vitit 2017 janë dënuar nga Gjykata e Shkodrës me nga 5 vite burg secili, vendim ky që është ekzekutuar dje nga Policia e Tiranës.
Comments are closed.