Një person, identiteti i të cilit është vendosur të lihet anonim, ka folur për emisionin “Me pak fjale”, në Euronews, për kostot financiare të përballimit të Covid19
Personi shprehet se nga familja e tij me katër anëtarë, ai nuk është infektuar, por tre anëtarët e tjerë të familjes, po. “Dy nga personat ishin në moshë të re dhe e kaluan dy-javëshin e sëmundjes në shtëpi dhe në tre javë, ishin rikuperuar totalisht. Personit të tretë, i cili ishte dhe në moshë më të madhe, iu desh të shtrohej në spital për dy javë, me një fazë rikuperimi totale katër javore” ka thënë ai për “Me pak fjalë”
Të tre njerëzit u sëmurën në të njëjtën kohë brenda një muaji, me diferencë prej pak ditësh nga njëri-tjetri. “Faza e parë e sëmundjes është e vështirë për të gjithë, sepse sëmuret i pari dhe ekziston frika për të tjerët. Në të njëjtën kohë është dhe ankthi se si do shkojë rrjedha e sëmundjes. Është një ngarkesë e madhe psikologjike, emocionale.
Personi i painfektuar, i cili po jep edhe dëshminë, tha se sapo vuri re simptomat, mori disa suplemente/vitamina në sasi të shtuar. Kostoja e vitaminave ishte 12 mijë lek.
Masat e tjera përfshinin rritje të kujdesit ndaj higjienës dhe izolimin. Përsa i përket të ardhurave ekonomike, familja e infektuar thotë se i përket një shtrese të mesme me të ardhura mesatare. “Dy personat e infektuar, më të rinj në moshë, patën një kurë që nuk përfshinte antiviralin. Kostoja e mjekimeve për të dy ishte përafërsisht 90 mijë lek”
Ndërkohë, personi i tretë, që ishte në gjendje më të rëndë, i duhej edhe një antiviral, trajtim i cili kushtonte 700 euro. “Antiviralin e morëm privatisht. Pa antiviralin, kostoja shkon diku te 35 mijë lek për person, pa përfshirë vitaminat e mia.” Mbeten ende kostot për ushqimet e shëndetshme dhe lëngjet. “Je i detyruar që ushqimi të të vijë në shtëpi me pagesë”
Në kosto shtohen edhe ekzaminimet nga sëmundjet: 2 skanerët, nga 15 mijë lek për person, grafitë nga 20 mijë lek secili dhe analizat e trashësisë së gjakut, për 40 mijë lek secili. “Së bashku me tamponin në spital privat, 100 euro secili, vetëm ekzaminimet e Covid-it na shkuan rreth 60 mijë lek. Pas dy muajve nga kalimi i sëmundjes nevojiten përsëri procedura, për tu siguruar që do të jemi mirë.”
Comments are closed.